Nga Gazeta ‘Si’– Disa media publikuan sot, ende pa ardhur dita e leximit në parlament, raportin e PD-së në Këshillin e Mandateve çështjen Balluku duke e vënë theksin tek disa nënçështje.
Një prej tyre ishte volumi i dosjes dhe citohet kreu i SPAK, Klodian Braho që mesa nënkuptohet nga zbardhja kur është pyetur për hard diskun e provave ka thënë se Prokuroria e Posaçme, ka depozituar gjithsej 80 prova, të ndara në 12 volume.
‘Është thjesht një hard disk nga ana praktike, që po ta printosh, pa ekzagjerim mund të jenë dy apo tre furgonë me letra, por është në gjendje elektronike“-citohet të ketë thënë Braho.
Nuk duket e rastësishme kjo deklaratë e shkëputur për t’u vënë si titull lajmi, ndaj enkas po e trajtojmë këtë moment sepse e nënkuptuara në këtë rast flet më shumë se e deklaruara.
Nëse dosja “Balluku” me fletë të printuara do të mbushte dy furgona mesatar 3 ton (gjithsej 6 ton) atëherë do të rezultonte se dosja do të përbëhej me rreth 1.2 milion fletë A4!!
Vetëm për t’i lexuar këto fletë me një kohë mesatare 1-2 minuta për faqe dhe non stop pa asnjë pushim, pra 24/ 24 orë do të duheshin 1.250 ditë.
Me vetëm 8 orë në ditë do të duheshin rreth 10 vite për të lexuar të plotë dosjen e hetimit “Balluku”!! Meqë është një hetim që çdo fakt do duhet të shkruhet, Gazetasi.al pyeti ekspertë të fushës së drejtësisë dhe rezultoi se një person me përvojë dhe vullnet mund të përpunojë maksimumi 30-40 faqe në dy ditë (përpilimi dhe editimi) ose 160-200 vite pune?!
Këto shifra janë empirike por sado të minimizosh efektin e tyre kur thuhet dy furgona e kupton që deklarata e kreut të SPAK nuk duhet marrë e drejtpërdrejtë, por si një hiperbolë dhe metaforë vizuale për të treguar masivitetin e dosjes.
Krahasimi me dy furgona ndihmon publikun të kuptojë menjëherë se dosja është e madhe dhe serioze. Pra, deklarata është më shumë mjet retorik dhe dramatik, sesa një raport teknik i saktë mbi masën e dokumentacionit.
Ky lloj komunikimi ngre disa dilema etike. Përdorimi i hiperbolës vizuale mund të ndikojë në opinionin publik, duke e bërë një çështje më “të madhe” sesa mund të jetë realisht, pa shpjeguar përmbajtjen apo provat.
Pra, deklarata e dy furgonave është një mjet retorik, që e bën masive një dosje dhe i jep spektakël mediave, por në të njëjtën kohë tejkalon kufijtë e komunikimit institucional, duke lënë hapësirë për keqinterpretim nga publiku.
Në përfundim, pjesa më e rëndësishme mbetet çfarë ka brenda dosjes, jo sa fletë mund të mbushin dy furgona, por metafora e ekzagjeruar indoktrinon publikun që ta perceptoj menjëherë si një çështje e madhe dhe serioze pa e çarë kokën për faktet .
Kur SPAK (apo ndonjë institucion tjetër publik) përdor deklarata të tilla hiperbolike dhe metaforike për të komentuar një dosje, në fakt është një formë komentimi indirekt, edhe pse institucionet, veçanërisht SPAK, zakonisht nuk duhet të bëjnë vlerësime publike mbi përmbajtjen e një çështjeje që mund të jetë ende në hetim apo proces gjyqësor.
Çështja që ngritëm mund të duket shumë etike dhe shumë luks për mjedisin e sotëm shqiptar por nëse këto barriera thuhen është e lehtë fare pastaj që edhe institucionet publike edhe ato private të përfundojnë në konflikte ndërpersonale. Dhe pas këtij momenti vjen dorëzimi i shtetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje