Nga Gazeta ‘Si’- Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato tha se Reforma Zgjedhore është një nga parakushtet për integrimin e vendit në Unionin europian.
Në tryezën e përbashkët të Komisionit të Reformës Zgjedhore, Gonzato tha se është e nevojshme për dialog mes palëve pasi vendi ndodhet në një moment kritik.
Sipas tij, ligji për financimet e partive duhet të garantojë një fushë loje të barabartë për të gjithë aktorët, dhe se duhet të mbrojë edhe të vegjëlit.
“Përmirësimi i sundimit të ligjit dhe përkushtimi i palëkundur ndaj standardeve europiane është kyçe për Shqipërinë, përputhshmëria me piketat e ndërmjetshme dhe ndaj kemi këtë kohë apo afat e trysni për komisionin.
Reforma zgjedhore është nevojë demokratike, besimi në zgjedhje është besim në demokraci. Ky besim mund të ekzistojë kur burimet e financimit janë të paqarta apo mbikëqyrja është e dobët. Financimi është parakusht për procesin e anëtarësimit në BE. Reforma zgjedhore, mbetet përparësi vendimtare në kuadër të kornizës së BE dhe lidhet ngushtë me themeloret.
Reforma duhet të garantojë pluralizmin politik dhe të sigurojë fushë loje të barabartë për të gjithë aktorët”, tha Gonzato.
Edhe bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, nga PS Damian Gjiknuri theksoi se ky ligj është i nevojshëm të ndërtohet me transparencë, si edhe që të krijojë një balancë mes partive.
Sipas tij, nuk duhet të lejojnë që të bëhet barrë për partitë e vogla, por gjithashtu shtoi se duhet të parandalojnë edhe financimet e paligjshme nga krimi, për interesa të caktuara apo nga ndikimet e huaja.
Ndërsa bashkëkryetari Oerd Bylykbashi, u shpreh se është e rëndësishme që në ligjin e ri të vihet theksi te transparenca.
“Kjo është jo vetëm kërkesë kushtetuese, jo vetëm kërkesë e BE-së, por ndajmë të gjithë një mendim që partitë të funksionojnë në mënyrë demokratike dhe duke shmangur korrupsioni, por edhe influencat kriminale, apo të faktorëve të tretë të huaj që kanë synim të hyjnë në Shqipëri”, tha ai.
Sipas Bylykbashkit, financimi i partive duhet të jetë i shëndetshëm jo vetëm në aspektin e pastërtisë, por edhe sasisë që marrin partitë politike.
“Ajo duhet të jetë e mjaftueshme dhe e shëndoshë që partitë të funksionojnë në mënyrë demokratike brenda tyre dhe brenda sistemit parlamentar”, u shpreh ai.
Deputeti demokrat theksoi se në ligjin e ri duhet të ketë një balancë mes transparencës, pluralizmit dhe demokracisë në parlament dhe jashtë tij.
Bylykbashi theksoi se ligji duhet të jetë sa më gjithëpërfshirës për interesat e partive, të mëdha apo të reja, brenda ose jashtë parlamentit dhe njëkohësisht të jetë në interes të publikut.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje