Treg

Rritja e naftës, Konfindustria: Qeveria të lehtësojë barrën dhe spekulimet. Mos të përsëritet 2022-shi!

Nga Gazeta ‘SI’ – Tronditja globale në tregjet e naftës, pas përshkallëzimit të luftës në Lindjen e Mesme, pritet të ketë pasoja të drejtpërdrejta edhe për Shqipërinë, duke shtuar më tej presionin mbi çmimet dhe koston e jetesës.

Rritja e menjëhershme e çmimit të naftës në bursat ndërkombëtare ka rikthyer shqetësimet për një valë të re shtrenjtimi në tregun vendas të karburanteve, me efekt zinxhir në transport, prodhim dhe çmime konsumi. Të martën e 3 marsit, çmimi i naftës në botë ka prekur 80 dollarë për fuçi, ndërsa gazi me 50%.

Në një reagim për mediat, Konfindustria i ka bërë thirrje qeverisë të përgatisë një paketë ligjore për reduktimin e barrës fiskale mbi naftën, me synim zbutjen e ndikimit te qytetarët dhe bizneset.

Konfindustria, po ashtu, kërkon që të rregullohet konkurrenca në tregjet e karburanteve, për të shmangur një tjetër 2022-sh, ku spekulimet e çmimeve, rënduan qytetarët.

Së pari, duhet kontrolluar zbatimi i ligjit në kompanitë e karburanteve për sigurimin e rezervës strategjike 3 mujore.

Së dyti, duhen marrë masat ligjore në drejtimin rregullator të Konkurrencës në treg për të shmangur rrezikun e rikthimit të spekulimeve të çmimit të karburanteve si në rastin e krizës së luftës në Ukrainë në vitet 2021-22.

Së treti, kërkojmë, që qeveria të përgatisë një paketë ligjore me synim uljen e barrës fiskale në rast të rritjes së fortë të çmimit të karburanteve në tregjet ndërkombëtare.

Çmimi i naftës ka dhënë shenjat e menjëhershme të rritjes në bursë, duke e bërë të pashmangshme pasqyrimin edhe në tregun vendor. Koha e zgjatjes së luftës është e paqartë”, thuhet në deklaratën e Konfindustrisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë