Nga Gazeta ‘Si’- Partia Demokratike depozitoi në Kuvend raportin e 5 anëtarëve të opozitës në Këshillin e Mandateve, përmes së cilit do të kërkojnë që SPAK t’i jepet autorizim për arrestimin e Ballukut.
Kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi thotë se janë pro kërkesës së SPAK dhe pro drejtësisë. Sipas Bardhit Balluku po kërcënon dëshmitarët.
“Ne jemi pro kërkesës së SPAK. Pro drejtësisë. Pro barazisë përpara ligjit. Prokuroria ka dokumentuar në mijëra faqe prova se bashkëpunëtorja e Edi Ramës, ish zv.kryeministrja Belinda Balluku, ka abuzuar me detyrën dhe në mënyrë korruptive ka paracaktuar garën për 11 procedura publike me vlerë 1.1 miliard euro.
Sipas prokurorisë ajo i ka shkaktuar një dëm të madh financiar shtetit shqiptar, dhe rrezikon deri në 35 vite burg. Po sipas prokurorisë, gjatë këtyre muajve, ajo po prish provat dhe po kërcënon dëshmitarët, përmes grupeve kriminale dhe përmes vartësve të saj.
Mirëpo, Edi Rama ka vendosur të mbrojë Belinda Ballukun, të pengojë drejtësinë dhe të mbrojë korrupsionin e saj. Arsye e thjeshtë: Është vetë i përfshirë. Është peng i Belinda Ballukut, sepse është ai autori i ngritjes së sistemit korruptiv, që po vret ekonominë, tregun e lirë, që po varfëron shqiptarët dhe po i detyron të largohen nga Shqipëria”, shprehet Bardhi.
Bardhi thekson se sipas standardeve kushtetuese, Kuvendi nuk ka kompetencë të vlerësojë masën konkrete të sigurimit apo nevojën hetimore, pasi kjo është kompetencë ekskluzive e pushtetit gjyqësor.
Roli i Kuvendit, sipas tij, kufizohet në verifikimin formal të kërkesës dhe në garantimin që procedimi penal nuk ka motiv politik.
Po ashtu, ai theksoi se Kuvendi nuk ka kompetencë që të vlerësojë se cila masë sigurimi është e përshtatshme për Ballukun, duke iu referuar qëndrimit të socialistëve në mbledhjen e Mandateve se masa e pezullimit ishte e mjaftueshme deri më tani në lidhje me hetimet, pasi në të kundërt do të dilte jashtë kompetencave të tij dhe do të shkelte parimin e së drejtës.
“Kuvendi verifikon vetëm procedurën që është zhvilluar, pa i hyrë cilësisë dhe vlerës së provave në drejtim të faktit penal dhe të autorësisë. Imuniteti procedural nuk mundet dhe nuk duhet që në asnjë rrethanë të shndërrohet në një mburojë nga pandëshkueshmëria apo si pengesë për drejtësinë.
Nëse pranohet e kundërta, atëherë ҁdo akt i prodhuar është absolutisht i pavlefshëm, sepse në mënyrë të dukshme Kuvendi tejkalon kompetencën e tij dhe merr kompetencë për ushtrim të paligjshëm të ndjekjes penale, pra uzurpon kompetenca gjyqësore”, thuhet ndër të tjera në raport.
Bardhi tha se opozita do të thërrasë protestë ditën që Kuvendi do të shqyrtojë kërkesën dhe paralajmëroi përshkallëzim nëse Kuvendi refuzon t’i heqë imunitetin Ballukut.
Mazhoranca ende nuk ka paraqitur raportin e saj, por Kryeministri Rama është shprehur se shkarkimi i Ballukut nga detyra, e bën të pavlefshme kërkesën e SPAK.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje