Kosova

Vuçiç: Takimi i Gjuriçit me Rubion ishte rastësor, Serbia nuk negocion për Kosovën

Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, hodhi poshtë pretendimet se ministri i Jashtëm serb Marko Gjuriç u ftua në Uashington për të marrë informacione rreth një marrëveshjeje “sekrete dhe detyruese” për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Sipas Vuçiçit, takimi mes Gjuriçit dhe sekretarit amerikan të Shtetit Marco Rubio nuk ishte planifikuar paraprakisht, por ndodhi rastësisht dhe nuk përbën asnjë negociatë zyrtare për statusin e Kosovës.

Ai theksoi prerë se Serbia “nuk negocion me askënd” për Kosovën, duke hedhur poshtë të gjitha spekulimet për një marrëveshje të fshehtë.

Në fjalën e tij Vuçiçi është shprehur se deklaratat e ish-ambasadorit Nebojsa Vujoviç, sipas të cilit ftesa për Gjuriçin synonte pikërisht njohjen e Kosovës, janë trillime.

Ai i cilësoi këto pretendime si të pabazuara dhe theksoi se nuk do të diskutojë asnjëherë çështjen e njohjes së Kosovës “as me Marco Rubion, as me Shën Pjetrin” duke rikujtuar pozicionin e palëkundur të Beogradit se Kosova është, ishte dhe do të mbetet pjesë e Serbisë.

Në të njëjtën linjë, Gjuriç nga Uashingtoni ka mohuar në mënyrë të prerë ekzistencën e ndonjë “marrëveshjeje sekrete” për njohjen e Kosovës, duke i quajtur këto akuza “shpifje të plota”.

Nga Uashingtoni, raportimet zyrtare të Ministrisë së Jashtme të Serbisë theksojnë se vizita e tiij shërbeu për të forcuar bashkëpunimin me SHBA-në në fusha të ndryshme, përfshirë stabilitetin rajonal dhe mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve serbe në rajon, por pa ndërhyrë në të ashtuquajturin status politik të Kosovës.

Përfaqësuesit serbë theksojnë se bashkëpunimi me SHBA-në është i rëndësishëm, por dialogu nuk përfshin asnjë lloj njohjeje apo ndryshimi të qëndrimit zyrtar të Beogradit mbi çështjen e Kosovës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë