Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama u përpoq sërish të davarisë mbi kokat e qeverisjes së tij retë e akuzave për korrupsion që po vijnë si hordhi nga të gjitha drejtimet, por që pak i janë nënshtruar në fakt një hetimi shterues nga drejtësia.
Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, ai i tha sot publikut në ligjëratë të drejtë se: “korrupsioni po na rrit pagat, korrupsioni po na rrit investimet, korrupsioni po rrit ekonominë dhe punësimin?!”.
Është afërmendsh që kjo ishte ironi e Ramës.se nuk ka kryeministër në botë që për çfarëdolloj rrethane, qoftë edhe kjo aktuale, të pohojë këtë dhe të mohojë meritat legjitime të qeverisjes.
Me pak fjalë, Rama argumenton të kundërtën: se nuk ka si të rritet ekonomia, punësimi dhe nuk ka si të rriten investimet, etj. nëse ka korrupsion aq shumë sa, sipas tij, “po verbohen shqiptarët nga lajmet e shpeshta që dëgjojnë përditë”.
Këtu Rama bën një gabim që është shumë i rrezikshëm nëse është nga padija. Sepse ky argument është i pamjaftueshëm, pasi ka shumë mundësi që korrupsioni t’i sjellë “të gjitha këto të mira” duke ‘ndimuar’ qeverinë për njkohë të shkurtër.
Në debatet ekonomike ekziston argumenti se në sisteme me burokraci të rëndë dhe institucione të dobëta, korrupsioni mund të përshpejtojë nisjen e investimeve.
Sipas analizave të publikuara nga Forumi Ekonomik Botëror, disa studime kanë gjetur se në këto kushte korrupsioni mund të funksionojë si një mekanizëm që shmang vonesat administrative dhe aktivizon projekte që përndryshe do të mbeteshin të bllokuara.
Kur investimet nisin më shpejt, ato krijojnë vende të reja pune, veçanërisht në sektorë si ndërtimi dhe infrastruktura. Rritja e kërkesës për punë mund të çojë në rritje të pagave nominale, sidomos në ekonomi të vogla ku oferta e fuqisë punëtore është e kufizuar.
Ka ekonomistë që argumentojnë se (p.sh. studimi i Méon & Weill (2010)) në vende me institucione shumë të dobëta, korrupsioni mund të ketë një efekt “kompensues”, duke lehtësuar aktivitetin ekonomik dhe duke ndikuar pozitivisht në rritjen afatshkurtër. Po ashtu, ekonomistë të tjerë tregojnë teorikisht se në prani të rregulloreve të forta dhe zbatimit të dobët, një nivel i caktuar tolerimi informal mund të shmangë paralizën ekonomike.
Kjo do të thotë se në periudha të caktuara, korrupsioni mund të shoqërohet me rritje të përkohshme të investimeve, punësimit dhe aktivitetit ekonomik.
Po të shohim historinë ekonomike të viteve të fundit në Shqipëri, e vërejmë kollaj se ishte ndërtimi ai që po udhëhiqte rritjen ekonomike edhe pse operonte në një treg me fuqi kosumatore të dobët dhe që emigron.
Nga ana tjetër rritja e pagës pa produktivitet, rritja e bizineseve pa historik që përfshihet në investime miliardëshe, rënia e sektorëve prodhues si bujqësia të ndihmojnë të kuptoshë lehtë se jemi në fushën e dyshimit të arsyeshëm se një faktor i rëndësishëm i rritjes ekonomike është edhe prezenca e madhe dhe e rrezikshme e korrupsionit.
Pikërisht ky është gabimi i Ramës: kur nga padija ofron si kundërakuzë ndaj korrupsionit hedh si alibi rritjen ekonomike.
Nëse ky gabim do të ishte enkas me vetëdije, kuptohet se ka qëllime politike; por nëse, posaçërisht, Rama mendon kështu atëherë ky është një rrezik shumëfish në të ardhmen, sepse korrupsioni mund t’i japë këto efekte pozitive, por në afat të shkurtër dhe në vende si Shqipëria shkon deri në katër vjet.
Nëse krijon vazhdimisht të çara korruptive, për shkak se nuk gjendet rrugë e gjatë dhe më e vështirë e ngjitjes ekonomike përmes mirëqeverisjes, ky cikël përsëritet. Të tilla rrugë janë p.sh. amnistitë fiskale, statuset e investitorëve strategjikë, boom-i i lejeve të ndërtimit të debatueshme për kriteret dhe leverdshmërinë etj.
Por nëse qeveritë nuk e kuptojnë se sado mbreslënës përmes investimeve të bukura është korrupsioni, efekti i tij jo vetëm që është i shkurtër, por dëmi afatgjatë është shumëfish më i madh se fitimi afatshkurtër.
Projektet që fitojnë përmes ryshfeteve shpesh kanë cilësi më të ulët dhe kosto më të larta, duke zvogëluar produktivitetin dhe efikasitetin e investimeve publike dhe private (Méon & Weill, 2010).
Korrupsioni gjithashtu redukton konkurrencën, frenon zhvillimin e firmave serioze dhe pengon rritjen reale të pagave. Studimet e World Bank dhe Transparency International tregojnë se vendet me korrupsion të lartë përjetojnë ngadalësim të rritjes ekonomike, ulje të investimeve të huaja dhe rritje të pabarazisë.
Në praktikë, kjo do të thotë se edhe pse korrupsioni mund të krijojë një “boom” të përkohshëm, për qytetarët dhe ekonominë në tërësi, pasojat afatgjata janë të dëmshme, duke ulur cilësinë e jetës, pagat reale dhe mundësitë për punësim të qëndrueshëm.
Zoti Rama le të anashkalojë akuzat e përditshme dhe gjobëvënëse dhe të fokusohet tek shqetësimi tjetër më i madh.
Nëse ai qëndron në hije në argumentin se rritja ekonomike është dëshmi e antikorrupsionit, rrezikon dritëshkurtësi në qeverisje.
Nëse rritja ekonomike nuk është e qëndrueshme dhe afatgjatë të mbështetur mbi transparencë të plotë dhe institucione të forta, ka shumë rrezik që të jemi në kushtet e një zhvillimi ekonomik të korruptuar në të ardhmen. Dhe Shqipëria është ende larg këtyre tre kritereve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje