Pas urdhrit ekzekutiv të presidentit amerikan Donald Trump në 2025 për krijimin e një rezerve strategjike Bitcoin, kompani private, banka investimesh dhe studiues kanë nisur të nxisin bankat qendrore kryesore që të konsiderojnë të bëjnë të njëjtën gjë. Kandidati i Trump për kryetar të Federal Reserve, Kevin Ëarsh, shprehu të njëjtin mendim gjatë një interviste vitin e kaluar, duke përshkruar Bitcoin-in si “ari i ri”.
Kina dhe shumë tregje të mëdha në zhvillim kanë njohur prej kohësh rreziqet e varësisë së tepruar nga dollari amerikan. Përpjekjet për të zvogëluar këtë varësi kanë ndihmuar në rritjen e çmimeve të arit, i cili është rritur rreth 65% gjatë vitit të fundit. Nëse diversifikimi larg dollarit tashmë po bëhet përmes grumbullimit të arit, argumentohet se pse bankat qendrore të mos shtojnë edhe Bitcoin në rezervat e tyre? Kjo, në fund të fundit, mund të forcojë portofolin e rezervave dhe të rrisë rezistencën ndaj sanksioneve financiare amerikane.
Kjo ide, nuk është aq anormale sa mund të tingëllojë. Kriza midis fuqive të mëdha po rëndohet dhe ndërsa Kina e Europa po vuajnë me likuiditetin, Bitcoin mund të tërheqë interes.
Ari i ri?!
Në shumë mënyra, Bitcoin është monedha ideale për një botë të copëtuar dhe të pasigurtë. Por edhe këtu, SHBA po bëhet kampione dhe në këtë drejtim, me shpenzime të shumta nga lobuesit në këtë drejtim dhe me familjen Trump, që përfiton drejtëpërdrejtë.
Bitcoin mbetet tepër i luhatshëm. Çmimi është përgjysmuar nga 124 mijë dollarë në tetor në 65 mijë dollarë sot, ndërsa arri vetëm rritet.
Disa analistë besojnë se, bazuar në trendet afatgjata, çmimi minimal i Bitcoin mund të arrijë një ditë mbi 100.000 dollarë. Por Bitcoin nuk ka ekzistuar as dy dekada, dhe parashikimet afatgjata zakonisht kërkojnë të paktën një shekull të dhënash. Ndërkohë, ari ka shërbyer si aset monetar për mijëra vjet.
Parashikimet më optimiste sugjerojnë se kapitalizimi i tregut të Bitcoin mund të rivalizojë një ditë atë të arit, i cili aktualisht vlerësohet në 30-35 trilionë dollarë. Duke qenë se furnizimi i Bitcoin është i kufizuar algoritmikisht në 21 milion monedha, prej të cilave rreth 93% janë nxjerrë tashmë, çmimi i një monedhe do të duhej të tejkalonte 1.5 milion dollarë për të arritur atë vlerësim.
Nga ana tjetër, shumë ekonomistë fitues të Çmimit Nobel dhe komentatorë të shquar financiarë konsiderojnë se vlerësimi aktual i Bitcoin është thjesht spekulativ. Sipas tyre, duke qenë se nuk ka vlerë të brendshme ose përdorim themelor, çmimi i saj afatgjatë “i ekuilibruar” do të ishte zero.
Bitcoin vs Stablecoins
Ky argument mund të qëndronte nëse Bitcoin do të vlerësohej vetëm për risinë e tij, si një formë arti blockchain. Megjithatë, një kolaps afatmesëm deri në zero duket shumë i pazakontë, duke marrë parasysh rolin e kriptomonedhave në ekonominë globale nëntokësore. Kjo ekonomi, që përfshin aktivitete të paligjshme si pastrim parash, trafik droge dhe shmangie tatimesh, vlerësohet gjerësisht mbi 20 trilionë dollarë, duke e vendosur në të njëjtën kategori me rrjetet kryesore të kartave të kreditit.
Le të supozojmë se Bitcoin të merrte një të katërtën e këtij tregu masiv nëntokësor, dhe se vlera për përdoruesit ishte ekuivalente me tarifën prej 2% që zakonisht paguhet tek transaksionet me karta krediti. Kjo do të nënkuptonte rreth 100 miliardë dollarë vlerë transaksionesh në vit. Kapitalizuar siç duhet, ky përdorim mund të justifikonte lehtësisht një treg prej 1 trilion dollarë, ose rreth 50,000 dollarë për monedhë.
Sigurisht, stablecoins, kriptomonedha të lidhura me një valutë zyrtare, zakonisht dollarin amerikan – aktualisht përbëjnë shumicën e transaksioneve kripto. Megjithatë, me kalimin e kohës, stablecoins të lidhura me dollarin pritet të rregullohen si instrumentet tradicionale bankare, si kartat debiti, duke i bërë transaksionet të gjurmueshme tek individë të identifikueshëm, edhe pas disa transferimeve.
Pasi kjo të ndodhë, përdoruesit “nëntokësorë” mund të detyrohen të kthehen tek Bitcoin. Edhe pse ekzistojnë mijëra kriptomonedha alternative, shumica e tyre janë zbehur në vitet e fundit, pasi avantazhi i Bitcoin si i pari, rrjeti i madh dhe rezistenca e provuar e kanë mbajtur larg konkurrencës.
Nëse Bitcoin pritet të rritet, pse bankat qendrore të mos investojnë në të?
Sigurisht, ekzistojnë rreziqe të konsiderueshme. Për shembull, adoptimi i gjerë i kriptomonedhave mund të dobësojë aftësinë e qeverive për të mbledhur taksa, një çështje me të cilën politikëbërësit, madje edhe politikanët amerikanë të pasur nga kontributet politike, do të duhet të përballen.
Në fakt, nëse politikëbërësit në të gjitha ekonomitë e mëdha do të vendosnin ndonjëherë të ndalonin aktivitetet e lidhura me kripto, madje edhe një vlerë prej 50.000 dollarë për Bitcoin mund të ishte e vështirë për t’u mbajtur. Shkëmbimet e kriptomonedhave si Coinbase e lehtësojnë shumë mbajtjen e Bitcoin nga individët dhe ofrojnë një mënyrë kthimi në cash. Pa to, efektet rrjeti që rrisin ndjeshëm vlerën e Bitcoin do të pakësoheshin shumë.
Por kjo nuk pritet të ndodhë së shpejti. Mbështetja e fuqishme e administratës Trump për kriptomonedhat, së bashku me përdorimin e gjatë të dollarit si armë përmes sanksioneve financiare, mund të nxisë disa banka qendrore të eksperimentojnë me diversifikimin drejt Bitcoin. Megjithatë, zhvendosja e “strehës më të sigurt” tradicionale nuk do të jetë e lehtë. Në fund, “ari i ri” mund të mbetet thjesht ari i vjetër.
Shkruar nga Kenneth Rogoff, ish-ekonomist i FMN-së, për “Project Syndicate”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje