Nga Gazeta ‘Si- Për Bashkimin Europian, protestat e dhunshme të opozitës, korrupsioni dhe norma e lartë e paraburgimit, janë çështjet më shqetësuese dhe që duhen adresuar nga Shqipëria.
Në prezantimin e draft-raportit për progresin e Shqipërisë në rrugëtimin e saj drejt unionit, i pranishëm ishte Andreas Schieder, raportuesi për Shqipërinë, i cili shprehu shqetësimet e tij për klimën politike, duke cilësuar se ka pasur një radikalizim të fortë.
Ai theksoi se prioritet i vendit tonë duhet të mbetet mbyllja e kapitujve të negociatave. Fokusi tek këto grup-kapituj bën që objektivi i 2027-ës të jetë shumë i arritshëm, siç shprehet Schieder.
“Klima politike nuk është më e mira e mundshme. Ka shqetësime lidhur me zgjedhjet, dyshime për blerje votash, por gjithashtu ka shqetësime lidhur me bashkëpunimin politik. Sidomos javët e fundit, ka pasur një radikalizim të fortë për ta bërë politikën në rrugë dhe jo në sallën e Parlamentit. Korrupsioni mbetet shqetësim i madh që kërkon adresim. Prioritet tani duhet të jetë mbyllja e kapitujve të negociatave me ndryshim konkret. Objektivi për 2027-ën është shumë më i arritshëm”, tha Schieder.
Sakaq, kreu i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister, u shpreh se Shqipëria ka ende punë për të bërë lidhur me anëtarësimin e saj në BE. Ai solli në vëmendje edhe protestat e opozitës, duke i cilësuar të dhunshme e jo të pranueshme për vende demokratike.
Gjithashtu ai theksoi se është me rëndësi që mazhoranca dhe opozita të bashkëpunojnë për interesat e qytetarëve.
“Ndërkohë që Shqipëria ka hapur negociatat, ne mbështesim ecurinë. Shqipëria duhet të punojë edhe më shumë teksa vendi hyn në fazë të rëndësishme. Procesi është strikt dhe bazohet në meritë. Miratimi i legjislacionit nuk është i mjaftueshëm, duhen ndryshime konkrete dhe implementimi i tyre. Protestat e dhunshme nuk janë të pranueshme në një shoqëri demokratike”, tha McAllister.
Eurodeputeti, Marco Tarquinio, ngriti shqetësimin e numrit të lartë të të paraburgosurve në Shqipëri.
“Vendi ka gati 60% të njerëzve në burg të paraburgosur, pra pa një vendim të formës së prerë. Një shifër shumë e madhe. Dua të vlerësoj lëvizjen spektakolare të Kryeministrit Rama që ka vënë në dispozicion që Shqipëria të heqë dorë si nga e drejta e vetos, si nga Komisioneri. Kjo mendësi na mëson për bujarinë, që na shërben edhe ne të gjithëve këtu brenda”,- tha Marco Tarquinio, kreu i delegacionit PE-Shqipëri
Duke u ndalur tek drejtësia në vendin tonë, eurodeputeti Thomas Waitz u shpreh se Prokuroria e Posaçme ka të gjitha kapacitetet e nevojshme për luftën kundër korrupsionit në nivele të larta.

“Pavarësia e gjyqësorit është pikë kyçe dhe avancimi duhet të vijojë. Fakti që SPAK-u ka pasur kapacitetin që të arrestojë zyrtarë të nivelit të lartë tregon se ka kapacitet dhe kjo është një shenjë shumë e mirë. Na duhet të shohim më shumë gjithëpërfshirje, sidomos të shoqërisë civile”, tha Waitz.
Ndërsa rastin e hetimit dhe imunitetit të zv. Kryeministres Balluku e theksuan dy eurodeputetë të djathtë.
“Lufta kundër korrupsionit duhet të japë rezultate edhe më konkrete. Hetimet që janë në vijim, përfshirë atë të zv. kryeministres duhet të vazhdojnë pa asnjë ndërhyrje. Zbatimi i ligjit nuk mund të jetë selektiv. Shqyrtimi i kërkesës për heqjen e imuniteti pa asnjë vonesë është përgjegjësi e parlamentit. Jam i shqetësuar për amandamentet në Kodin e Procedurës Penale për të mbrojtur zyrtarët nga pezullimi kur janë nën hetim”,- tha eurodeputeti Andrey Kovatchev.
“Mazhoranca refuzon t’i heqë imunitetin. Kjo duhet të ndikojë edhe në qëndrimin tonë”,- tha Michael Ghaler.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje