Nga Gazeta ‘Si’- Një ndërhyrje brutale dhe gjymtuese e cilësoi kryeministri Edi Rama vendimin e GJKKO për pezullimin e zv.kryeministres Belinda Balluku.
Sipas tij pezullimi i ministrit nga një prokuror dhe gjykatës, me vendim të një seance paraprake pa gjyq, është i pandodhur në historinë e botës.
Mandej kryeministri Edi Rama, nuk kurseu kritikat për punën e institucioneve të drejtësisë sidomos muajt e fundit.
Sipas tij, në këtë fazë që ndodhet vendi, nuk mund të frenohet e aq më tëpër të ribjerë aty ku ka qenë, përmes asaj që ai e quan “ndërhyrje brutale të gjyqësorit te pushtetet e tjera”.
Ai nënvizoi se në këtë mandat të afërt të SPAK po bëhen prerje të fletë arresteve pa hesap apo “në tufa”, teksa nuk kurseu as median duke e cilësuar si “tenxhere”.
“Ka filluar edhe një lëvizje sportive prokurorësh lartë e poshtë nëpër Shqipëri të cilët janë turrur në garën për mandatin e ardhshëm dhe të afërt të SPAK, duke prerë fletë arreste me tufa për çështje që në rastin më të mirë nuk janë fare çështje penale dhe në rastin më të keq kudo në botën që na rrethon, hetohen në gjendje të lirë”, tha Rama.
Ai u ndal edhe te kërkesa e gjyqtarëve për rritjen e pagave që e konsideroi absurde. Ai i kritikoi përpjekjet e tyre, duke argumentuar se përcaktimi i politikave të pagave dhe taksave është atribut i pushtetit legjislativ.
“Ndërhyrje gjymtuese në territorin e pushtetit legjislativ e një shoqate për të rritur pagat e veta me gjyq. Që kur në historinë e Republikave me tre pushtete, pushteti gjyqësor llogarit paga dhe përcakton politikat e pagave apo taksave të një vendi?! Hapu dhe i thonë kësaj!”, argumentoi ai.
Megjithatë, tha se premisat janë që kjo fazë të jetë kalimtare, sepse në të kundërt nuk do ketë gjyqësor apo shtet funksional.
Gjyqtarët, tha ai, kanë arritur maja që habisin edhe mbështetësit më të verbër anglishtfolës të këtij shteti.
“Kur dëgjojnë se një gjykatës i thotë prokurorit rëndoje dorën se e ke të lehtë akuzën, anglishtfolësit kujtojnë se janë bomba artizanale, por janë fakte të tmerrshme”, deklaroi Rama, duke shtuar se ende nuk ka reflektim në radhët e gjyqësorit.
Duke e quajtur veten mbështetësin më të madh të punës së institucioneve të drejtësisë, Rama tha se ndihet i turpëruar sipas tij kur lexon raportin e Këshillit të Europës për numrin e lartë të paraburgimeve.
Ai shtoi se drejtësia e re sipas tij ka lajthitur në shumë raste. Sipas tij, punonjës të administratës janë presionuar në Ditën e Vitit të Ri.
“Ne nuk bëjmë presion, por duam mirëkuptim për shtetin ligjor e demokratik të shqiptarëve. Kjo është për të vënë kujën. 40 kontrolle banesash u bënë në Ditën e Vitit të Ri në një lajthitje të madhe, duke trajtuar administratën sikur të ishte organizatë kriminale. Shteti ligjor nuk është shtet policor, as për kriminelët më të mëdhenj e jo për administratën. Drejtësia dhe administrata nuk janë në dy barrikada të ndryshme me njëra-tjetrën. Punonjësve të administratës iu janë bërë presione, të pranojnë faje që nuk i kanë bërë, me presion”, tha ai ndërsa shtoi se sipas tij njerëzit janë bërë si statistika.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje