Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama, ka reaguar pas shembjes së rrugës Përrenjas-Librazhd, e cila është bllokuar që prej së shtunës dhe për lajmet se ai do të udhëtojë sot drejt Korçës me helikopter.
Në një postim në “X”, Rama shprehet se udhëtimi i tij me helikopter drejt Korçës ishte planifikuar kohë më parë, pasi siç thotë ai, do të shoqëroj një grup investitorësh, madje edhe drejt Vlorës.
“Nga Korça edhe në Vlorë, për të shoqëruar një grup investitorësh me prestigj ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë, e për t’iu prezantuar hapësirat e Polit të Dijes në Korçë dhe të kompleksit të ri në Vlorë, si dy destinacione me potencial për të mikpritur universitete të mirënjohura ndërkombëtare!
Ata vijnë nga Rinasi në Korçë e pastaj në Vlorë me helikopterin e tyre, ndërsa ne do të përdorim helikopterin e Forcave të Armatosura, i cili me ne ose pa ne, kryen çdo muaj orët e veta të domosdoshme të fluturimit, e në këtë rast i shërben edhe një pune të mirë”, thotë Rama.
Sa i përket shembjes së rrugës Përrenjasi-Librazhd, e cila është bllokuar që prej datës 21 shkurt, Rama thotë se shembje dherash ndodhin edhe në Itali, duke ia atribuuar dëmtimin e këtij aksi rrëshqitjeve gjeologjike dhe jo autoriteteve përgjegjëse.
“Sa për aksin e bllokuar këto ditë, duhet një ligësi e madhe, një dëshpërim i thellë dhe një padije e rëndë, për t’ia faturuar qeverisë problematikën e një rrëshqitjeje gjeologjike të masivit natyror në anë të rrugës së vjetër, që ka impaktuar edhe aksin e ri, por që ka zero lidhje me ndonjë përgjegjësi profesionale a teknike të projektuesve, zbatuesve apo autoriteteve përkatëse! Në Itali po rrëshqet gjatë këtyre ditëve një masiv gjigand që rrezikon të marrë me vete një qytezë të tërë të banuar”, shkruan kreu i qeverisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje