Nga Gazeta ‘Si’- Pas pesë orësh ka përfunduar mbledhja me dyer të mbyllura e Këshillit të Mandateve për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit si deputete të Belinda Ballukut.
Pasi prokurorët u larguan nga salla, pesë anëtarët e PD kërkuan nga të gjithë deputetët në parlament, të votojnë pro heqjes së imunitetit dhe hapjen rrugë SPAK-ut për të marrë të tjera masa ligjore.

Por PS doli kundër kësaj kërkese. Deputeti Ulsi Manja deklaroi se “masat që janë në fuqi tani ndaj znj. Balluku janë të mjaftueshme për nevojat e hetimit”.
Kështu, PS dhe PD do të dalin me dy raporte. Edhe kreu i grupit të PS, Taulant Balla mbrojti idenë e dhënë nga anëtari socialist i Këshillit, Ulsi Manja. Balla u shpreh pas mbledhjes se PS nuk është dakord me arrestimin e Ballukut, por se do të diskutohet çështja.
“Imunitet në Shqipëri nuk ka nga 2012. Dua t’ju njoftoj se procesi ka qenë shumë i mirë në Këshillin e Mandateve. Këshilli mori kohën e nevojshme, sa kohë në proces u përfshi edhe Gjykata Kushtetuese. Kuvendi do të marrë kohën e nevojshme për këtë proces. Mjafton pezullimi. Duhet të respektojmë preuzumimin e pafajësisë. Nuk jemi për arrestim të Ballukut, mjafton pezullimi. Informova Këshillin e Mandateve, ne nuk ishim dakord me atë mënyrë sesi ka ardhur, si është propozuar. Ne do të kemi një debat në PS. Autorizimin e jep seanca plenare”, tha Balla.
Raportin e socialistëve do ta hartojë kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Ndërkohë, opozita do të hartojë raportin e saj, të cilat më pas i kalohen Kuvendit dhe votimi pritet të bëhet në seancën në e 5 marsit.
Mësohet se sot në mbledhjen me dyer të mbyllura, prokurorët e SPAK kërkuan arrestimin e Ballukut duke thënë se pozita penale e saj është rënduar dhe se ndaj saj rëndojnë prova të reja.
“Sot që flasim situata e saj është rënduar, dhe me akuzat e prokurorisë në këtë moment znj. Balluku rrezikon deri në 35 vite burg. Të njëjtën vepër e ka kryer 9 herë. Secila vepër dënohet me 4 vite. Me bashkim dënimesh ky është marzhi i veprës”, mësohet të ketë thënë kreu i SPAK, Klodian Braho.
Prokurorët kanë konfirmuar në mbledhje, se vetë Balluku, më 20 nëntor 2025, ka intimiduar dy dëshmitarë, duke i kërkuar të ndryshojnë dëshminë. Jo vetëm kaq, por sipas SPAK, persona të ‘fortë’ kanë kërcënuar dëshmitarët në emër të Ballukut. Dhe kjo, tha organi i akuzës, është e vërtetuar me transkripte të bisedave, të cilat ndodhen në 16 mijë faqet që prokuroria ka dorëzuar në Kuvend.

Në mesin e debateve, kreu i grupit të PD, Gazment Bardhi pyeti prokurorët e SPAK, nëse kërkesa për arrestimin e Ballukut është e bazuar në motive politike.
Prokurorët e çështjes u përgjigjen se kërkesa e tyre s’ka asnjë lidhje me motive politike, por është e bazuar në prova. Kaq mjaftoi që vetë avokatët e Ballukut të pranonin se “nuk kanë indicie për asnjë motivim politik”, referuar kërkesës së SPAK për arrestimin e zv.kryeministres.
Mbrojtja e Ballukut mohoi çdo mundësi për arratisje apo prishje provash
“SPAK të provojë kushtet kur kërkon zëvendësim mase”, kështu mësohet se ka deklaruar mbrojtja e Ballukut, sa i takon pretendimeve për ndonjë arratisje të mundshme.
Më tej, avokati Kalia ka thënë se “Balluku ka zbatuar masën e pezullimit nga detyra dhe ka dorëzuar çdo dokument personal”, duke hedhur poshtë çdo lloj aludimi se “ekziston mundësia për prishjen e provave“.
Pjesë nga diskutimet në mbledhje
Ulsi Manja: Këto që janë kërcënuar janë dëshmitar apo të pandehur?
Prokuroria: Janë edhe të pandehur të tjerë, edhe persona dëshmitar qe s’janë të pandehur.
Manja: A janë sekuestruar të gjitha provat?
Prokuroria: Jo.
Ulsi Manja: Cili është mekanizmi përmes se cilës Balluku po prish provat pasi është e pezulluar.
Prokurori: Balluku është në detyrë. Mekanizmi, duke takuar vartësit.

Heqja e imunitetit të Ballukut nga Kuvendi do t’i hapte rrugë arrestimit të saj, qoftë ky arrest me burg, në shtëpi apo edhe kontroll banese. Duke qenë se kjo javë është “javë e gjelbër”, pritet që raporti të votohet në seancën plenare të 5 marsit.
Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, i marrë me ndarjen e votave 4-4, la në fuqi vendimin e Gjykatës së Lartë për pezullimin e Ballukut nga detyra, duke konfirmuar se është e domosdoshme që ajo të mos ushtrojë detyrën, ndërkohë që vazhdon hetimi.
Balluku është në hetim nga SPAK për shkelje të barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe për disa lote të Unazës së Madhe.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje