Politike

Nisma e PS për ndryshimet ligjore/Berisha: Rama po mbyll dyert e Europës për Shqipërinë

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një komunikim me qytetarët ka komentuar nismën e PS-së për ndryshimet ligjore pasi Gjykata Kushtetuese la në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut.

Berisha u shpreh se mbrojtja që kryeministri Rama po i bën Ballukut, sipas tij po mbyll dyert e Europës për Shqipërinë.

Kryedemokrati theksoi se edhe delegacioni i Parlamentit Europian që ishte pak ditë më parë në Shqipëri, kërkonte pa diskutim të mos pengohet drejtësia dhe që Balluku të shkojë atje ku kërkon prokuroria.

“Tre ditë më parë ishte në Shqipëri delegacioni i Parlamentit Europian që erdhi me kërkesën e opozitës si mision faktmbledhës.

Ju e dëgjuat, kërkonin pa diskutim të mos pengohet drejtësia. Kërkonin që Balluku të shkojë atje ku kërkon prokuroria. Deklaruan se integrim nuk ka në qoftë se mbrohet korrupsioni.

Atëherë, të dashur miq, a nuk është kjo një detyrë atdhetare? A nuk është ky një qëndrim në përputhje me idealet e integrimit europian të çdo shqiptari?

Atëherë sot ky projekt është vënë në satër nga xhelatë të vërtetë për të mbrojtur interesat e veta. Kështu që duhet t’i rrëshqasë toka nën këmbë jo vetëm në sheshin Skënderbej dhe në Tiranë, por në mbarë Shqipërinë.

Unë jam i bindur, unë jam i sigurt se me punë, me vullnet dhe vendosmëri kjo do ndodhë dhe Edi Rama do largohet nga pushteti si një nga armiqtë më të egër të kombit shqiptar në histori”, tha Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë