Politike

Berisha-Ramës: Sulmet ndaj selisë tonë do të sjellin sulme për selitë e PS në gjithë vendin

Nga Gazeta ‘Si’- Kryedemokrati Sali Berisha paralajmëroi kryeministrin Edi Rama se nëse sulmohet selia e PD-së, siç ndodhi dje me gaz lotsjellës, do të sulmohen të gjitha selitë e PS-së në vend.

Berisha u bëri thirrje kryetarëve të degëve të Partisë Demokratike në të gjithë vendin të kryejnë verifikime pranë selive të Partisë Socialiste në çdo rreth.

“Garantoj Edi Ramën se sulmet ndaj selisë së PD-së do të sjellin kundërpërgjigje ndaj selive të partisë së tij në të gjithë territorin e vendit. Ndaj hiq dorë nga aventura dhe provokimi i ulët. Ne betejën e kemi me Edi Ramën si kryeministër. Nëse sulmoni selinë e PD-së, PD-ja do t’ju përgjigjet siç e meritoni. Hiq dorë nga sulmet ndaj selisë për të mbrojtur krimet dhe vjedhjet tuaja”, tha Berisha.

Në një komunikim me qytetarët, Berisha tha se protestuesit u përballën “dhëmb për dhëmbë” me atë që ai e quajti “narkoshtet”, ndërsa e përshkroi tubimin si një betejë epike kundër qeverisë.

“Dje ishte ditë triumfi për kryengritësit paqësorë, që u përballën dhëmb për dhëmbë, për tre orë, me narkoshtetin, në një betejë epike kundër qeverisë së paligjshme të Tiranës, kundër Edi Ramës, Ballukut dhe vjedhjeve të tyre të papërmbajtura. Guximi i kryengritësve ishte i jashtëzakonshëm”, tha ai.

Berisha deklaroi se sipas tij janë përdorur mjete të forta të shpërndarjes së turmës, përfshirë plumba gome dhe gaz lotsjellës, duke shtuar se dhuna nga ana e policëve nuk kurseu as të miturit.

“Protestuesit u qëlluan me snajperë, me bombola gazi pas koke, madje edhe me shkelma në kokë. Dënoj me forcën më të madhe dhunën dhe terrorin policor. Dënoj gjuajtjen me seleksion të qytetarëve me bombola gazi pas koke njërit prej tyre, në gjoks, deputetit të PD-së, Laçiano Boçi dhe të tjerëve me plumba gome, me gaz. Garantoj Edi Ramën se në të gjitha këto do të jetë përgjegjës”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë