Politike

PD: U hodh gaz lotsjellës brenda Xhamisë dhe selisë, disa të plagosur

Nga Gazeta Si- Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar pas protestës, duke thënë se “Hedhja e gazit lotsjellës brenda xhamisë, në një moment kur nuk ka asnjë protestues, përbën një akt të rëndë dhe të papranueshëm”.

Kujtojmë se gaz lotsjellës ka përdorur policia për të shpërndarë protestuesit.

Bardhi thotë se është një cenim i hapur i lirisë së besimit dhe një përpjekje brutale për të penguar besimtarët myslimanë të kryejnë ritet e tyre pas iftarit.

“E dënoj me forcën më të madhe këtë veprim, që i ngjan praktikave të një regjimi represiv dhe bie ndesh me çdo standard demokratik”.

Gjithashtu Partia Demokratike, në një reagim, shkruan se sasi të mëdha gazi lotsjellës janë hedhur në oborrin, mjediset dhe deri te zyrat e drejtuesve të Partisë Demokratike.

“Forcat e Policisë kanë sulmuar selinë e forcës kryesore të opozitës pas një proteste paqësore, e disata në dy muajt e fundit, duke sjellë kaos, të lënduar dhe të plagosur”, shkruhet në njoftim, ku shtohet se raportohen disa të plagosur në anën e protestuesve, “një akt i paralajmëruar nga deklarata e policisë sot, e cila shmangu përgjegjësinë duke thënë se nuk e garantonte protestën e sotme, duke shpërfillur kështu një prerogativë kushtetuese”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë