Politike

Si t’i kuptojmë mesazhet e McAllister për Shqipërinë

Nga Gazeta ‘Si’- Vizita e djeshme e Mcallister nuk ishte aq e zakonshme dhe aq formale, paçka se si të tilla duken plot vizita drejtuesish të BE-së, tanimë që procesi i integrimit është ngjeshur dhe Shqipëria kërkon të nxitojë.

Qeveria shqiptare ka kapur momentin gjeostrategjik të ardhur me fat për shak të luftës së Rusisë në Ukrainë dhe shpreson se pikërisht ky faktor zë peshën më të madhe tek vendimi. Por deklaratat e kryetarit të Komisionit për Çështjet e Jashtme në Parlamentin Europian nuk u dukën thjesht deklarata protokollare. Ato janë sinjale politike të peshuara me kujdes.

Në pamje të parë, mesazhi i tij për Shqipërinë duket pozitiv: progres i mirë, mbështetje për integrimin, hapje kapitujsh. Por në diplomacinë e Brukselit, mënyra si thuhet diçka është po aq e rëndësishme sa përmbajtja.

Kur ai thotë: “Nuk ka vend për vetëkënaqje”, kjo përkthehet si “Procesi ka hyrë në fazën më delikate, ku do të kërkohen rezultate konkrete, jo thjesht përmbushje formale kriteresh”.

Shqipëria ka hapur të gjithë kapitujt dhe klasterat negociues, por hapja është hapi më i lehtë. Sfida reale është mbyllja e tyre.

Procesi i integrimit zhvillohet mbi 35 kapituj (të grupuar në 6 klasterë sipas metodologjisë së re të BE-së). Klasteri 1 “Fundamentals”, që përfshin sundimin e ligjit, drejtësinë dhe funksionimin e institucioneve demokratike është thelbësor. 

Ky hapet i pari dhe mbyllet i fundit. Në praktikë kjo do të thotë se nëse Shqipëria nuk bind BE-në për rezultate të qëndrueshme në drejtësi dhe luftë kundër korrupsionit, i gjithë procesi mund të ngadalësohet.

Deklarata e McAllister përmban tre paralajmërime të qarta së paris se Polarizimi politik është  ende problem. BE sheh me shqetësim konfliktin e vazhdueshëm mes mazhorancës dhe opozitës. Në negociata, stabiliteti institucional konsiderohet indikator i maturisë demokratike. Së dyti Protestat e dhunshme janë vijë e kuqe. Kur theksohet se “nuk kanë vend në një demokraci funksionale”, kjo është një formë presioni publik ndaj klasës politike shqiptare për të shmangur krizën.

Së treti, Integrimi është proces teknik, jo politik Duke përmendur Kriteret e Kopenhagës, Mcallister e bën të qartë se anëtarësimi nuk do të jetë vendim gjeopolitik i shpejtë, por rezultat i përmbushjes së standardeve.

Çfarë po sinjalizon Brukseli? Nëse e lexojmë në thellësi, mesazhi është ky: BE e sheh Shqipërinë si kandidate serioze, procesi po ecën më shpejt se disa vende të tjera të rajonit por durimi institucional nuk është i pakufizuar ndërkohë që rezultatet në drejtësi duhet të jenë të qëndrueshme për disa vite.

Pra, nuk është një deklaratë kritike, por as entuziaste. Është një paralajmërim i matur: “Jeni në rrugë të mbarë, por tani fillon prova e vërtetë.”

A është kjo fazë vendimtare?! Kuptohet qartë se ky është momenti më i rëndësishëm në këtë fazë të procesit sepse BE thekson se duhet të ketë dënime të formës së prerë për korrupsion në nivele të larta, duhet të ruhet stabiliteti politik dhe se duhet të shmanget çdo perceptim kapjeje të institucioneve.

Nëse këto arrihen, negociatat mund të përshpejtohen ndjeshëm.

Nëse jo, procesi mund të zvarritet për vite.

Për të treja këto ‘duhet’ të BE-së, në këtë moment Shqipëria mbetet larg. Vijimi duket mëse i vështirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë