Kosova

Thaçi: Jam plotësisht i pafajshëm! Kosova ishte më e rëndësishme se fati im personal

Nga Gazeta ‘Si’- Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përsëritur në fjalën e tij përfundimtare para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, se është plotësisht i pafajshëm.

Ai e nisi fjalimin duke uruar fillimisht festën e Pavarësisë për atdheun e tij ndërsa shprehu keqardhjen për të gjitha viktimat, pa dallim etnik.

Ai i hodhi poshtë pretendimet e Prokurorisë se ka pasur qëllime të merrte kontrollin në Kosovë, duke thënë se asokohe studionte në Zvicër.

“Më 17 shkurt 2008 duke ndier rrahjet e zemrave të stërgjyshërve tanë shpallëm Kosovën shtet të pavarur e sovran. Dëshiroj që sot nga kjo sallë t’u përcjell urimet më të përzemërta të gjithë qytetarëve për këtë festë madhështore. Për gati 3 vjet keni dëgjuar akuzat e Prokurorisë dhe argumentet e mbrojtjes.

Keni parë faktet, keni dëgjuar të vërtetën. Është vetëm një: akuzat nuk qëndrojnë. Unë jam plotësisht i pafajshëm, por kam thënë dhe them me bindje të plotë: unë bashkëndiej dhe shpreh keqardhje për të gjitha viktimat në Kosovë pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Në kohën e masakrave në fillim të vitit 1998 unë isha student në Zyrih.

Nuk po bëja plane si ta merrja kontrollin në Kosovë, por për provimet në universitet. I vetmi njeri që po bënte plane morbide ishte Sllobodan Millosheviç. Plane për një gjenocid të ri në Kosovë. Prandaj, si shumë qytetarë të tjerë kosovarë, u detyrova ta lëshoja Kosovën sepse regjimi i Millosheviçit më kishte ndjekur. Ai më kishte dënuar në mungesë me akuzën se kisha shkelur ligjet e tij diskriminuese”, tha Thaçi.

Ai ka deklaruar se qëllimi i vetëm i UÇK-së ishte të arrihej paqja, por Serbia zgjodhi dhunën dhe gjenocidin.

“UÇK-ja nuk ishte shtet, as ushtri, e një shteti. Ishte një organizim popullor që po mbrohej nga një shtet agresor. Fakti që UÇK-ja nuk ishte organizuar ashtu siç pretendon prokuroria, nuk e zbeh rolin e saj në çlirimin e Kosovës dhe kauzën e saj për liri”, tha ai.

Thaçi deklaroi se Kosova ishte më e rëndësishme se fati i tij personal.

“Pas hyrjes së NATO-s në Kosovë dhe largimit të forcave serbe, qytetarët e Kosovës po festonin lirinë e shumëpritur”, tha ai.

Kujtojmë se sot mbahet seanca e fundit e deklaratave përmbyllëse në rastin kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi në Gjykatën Speciale në Hagë.

Ish-krerët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, për të cilat të katërtit janë deklaruar të pafajshëm.

Prokuroria ka kërkuar që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim secili, por ekipet mbrojtëse kanë argumentuar se nuk ka prova për krimet e pretenduara dhe kanë kërkuar lirimin e tyre.

Pas përmbylljes së deklaratave, çështja do të kalojë te trupi gjykues. Gjykatësit kanë tre muaj kohë që të marrin një vendim për çështjen, ose të kërkojnë zgjatjen e afatit për marrjen e vendimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë