Politike

Berisha në Krujë: Shqipëria, peng i një narkodiktature. PS po zbraz vendin

Nga Gazeta ‘Si’– Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, gjatë fjalimit të tij në Krujë sot në 17 shkurt renditi disa kritika rresht për qeverisjen.

Ai tha se kjo qeveri sipas tij ka si prioritet vetëm vjedhjen, mashtrimin dhe krimin dhe deklaroi se PS po zbraz Shqipërinë.

“Në vend është vendosur një diktaturë, që pranon pluralizmin dhe e shtyp pluralizmin. PD solli në vend pluralizmin, si motorin për zhvillimin më të sigurt për vendin. Pasardhësit e atyre që lanë vendin pa pluralizmin, janë sulur kundër lirive dhe të drejtave politike në vend.

PS është rritur si parti krimi dhe vijon si parti krimi, si fatkeqësi e madhe kombëtare. Është vendosur një regjim, që ka vjedhjen, ka mashtrimin dhe krimin. Partia Socialiste po zbraz Shqipërinë më keq sesa zbrazja që i ka bërë Serbia vendit tonë. Kombi ynë në këto 10 vite nuk ka njohur ndonjëherë rrokullisje të tillë. Nga ky regjim janë larguar 1.1 milionë shqiptarë ose mbi 45 përqind e popullsisë. Ne po shkojmë drejt zhdukjes të pashmangshme.

70 përqind e të ikurve janë nën 45 vjeç. Lindjet kanë rënë në minimum historik. Rama iu nxiu jetën shqiptarëve. Këto që ka pësuar Shqipëria i ka pësuar Gjeorgjia, edhe atje të gjitha pushtetet janë në një dorë. Atje arsyeja është Rusia, ndërsa këtu janë miliardat e drogës. Rama është kryetari i organizatës kriminale më të rrezikshme të Shqipërisë dhe të Europës”, tha ai.

Më tej, Berisha deklaroi se PD dhe PS janë sot ballë për ballë. Për të, Rama përpara faqes së botës ka dalë si hajdut votash. Berisha u shpreh se Partia Demokratike do e fitojë betejën e saj.

“E gjithë veprimtaria kriminale e qeverisjes ka dalë në shesh në faqe të botës. Kjo është qeveri e paligjshme. Kjo, sepse nuk buron nga vullneti i qytetarëve shqiptarë, por buron nga farsa elektorale dhe nuk meriton që të ekzistojë as edhe një ditë.

Mos u mërzisni, sepse ne do të bëjmë patjetër detyrën për të bërë më mirë për Shqipërinë, nuk duhet të pajtohemi asnjëherë me vjedhjen që i bëhet vendit. Qeveria që mbron korupsionin dhe vjedh qytetarët nuk meriton të qëndrojë as edhe një ditë në pushtet.

Socialistët dhe historikisht kanë gënjyer. Më 1997, socialistët iu thanë qytetarëve se qeveria e PD-së në atë kohë kishte marrë paratë nga firmat piramidale. Por, kjo nuk ishte e vërtetë. Qëndrimi ynë ishte që ne do qëndrojmë në opozitë, të faktohet se nuk kemi prekur asnjë qindarkë. Nuk shkelëm norma normale. Këto kanë vjedhur, këto janë kapur.

Ky që u emërua sot drejtor i AKSHI-it, i ka dhënë baxhanakut tender 75 mln euro për përmirësim të Inteligjencës Artificiale, pa bërë asnjë punë. Tani jemi ne në fushë. Ne ja do vdesim e ja do rrojmë, këta do i heqim nga pushteti. Këta kanë humbur çdo të drejtë të qeverisin Shqipërinë, sepse janë armiq të shqiptarëve. Këta e shkatërruan kombin. Jemi të lodhur, por prapë jemi të frymëzuar, që të jemi pranë vendit në momente kritike. Ne do fitojmë”, deklaroi Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë