Politike

Nisma e propozuar nga Rama, Berisha: Po mbron veten dhe bandën e tij plaçkitëse

Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, hodhi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama se për të mbrojtur veten, po asgjeson sistemin e drejtësisë.

Ai foli kundër propozimit të Ramës për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale duke theksuar se masa e pezullimit nuk nënkupton pezullimin e asnjë funksioni në vend.

Sipas tij me këtë masë Rama po mbron veten dhe atë që Berisha e konsideron bandën e tij plaçkitëse, referuar ministrat.

“Pra pezullimi në mënyrë absolute nuk nënkupton pezullimin e asnjë funksioni në vend, e asnjë funksioni në vend. Nënkupton ndëshkimin në emër të interesave të qytetarëve të zyrtarëve më të lartë që përdorin pushtetin për të vjedhur dhe për keqbërjen ndaj qytetarëve. Pezullimi përkundrazi synon mbrojtjen e institucioneve, mbrojtjen e integritetit të tyre, legjitimitetit të tyre, funksionimit të tyre në përputhje me ligjin.

Kjo që po ndodh, po ndodh nga një kryehajdut në rreth të kuq, i cili të dashur qytetarë, ka jo një, jo dhjetë, jo 100, por ka qindra, e qindra firma për plaçkitje dhe grabitje, qoftë të taksave tuaja, qoftë të pasurive tuaja publike. Edi Ramës i ka ardhur fundit”, u shpreh Berisha.

Kryedemokrati deklaroi se beteja e opozitës është për të larguar kryeministrin Edi Rama.  

Sipas tij vetëm dorëheqja e Edi Ramës është kushti i të gjitha kushteve për t’i hapur rrugën zgjidhjes së udhëkryqit që Berisha e konsideron më të rrezikshmin në të cilit ndodhet Shqipëria në tërë kohërat e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë