Nga Gazeta ‘Si’- Ndërsa foli për rastin Balluku, kryeministri Edi Rama zbuloi sot se Belinda Balluku i ka dorëzuar tre herë dorëheqjen nga funksionet si zv.kryeministre dhe ministre, por të tre herët ai e ka refuzuar.
Në fjalën e mbajtur në mbledhjen e grupit të PS, Rama tha se Balluku nuk mund të dorëhiqej nën presionin e një fuqie që sipas tij është futur në pavarësinë e ekzekutivit, duke iu referuar pushtetit gjyqësor.
Kreu i qeverisë prezantoi sot nismën e re për ndryshime ligjore kundër pezullimit të funksionarëve të zgjedhur, ndërsa theksoi se rasti Balluku nuk ka lidhje me këtë proces.
“Rasti konkret s’lidhet me pezullimin, është në një tjetër proces. Belinda Balluku më ka dorëzuar tre herë dorëheqjen. I kam atje në dosje. Njëherë kur iu ngrit akuza, herën e dytë kur iu bë pezullimi i parë dhe herën e tretë pasi Gjykata Kushtetuese, nuk mori vendim. Të tre herët jam unë që e kam refuzuar dorëheqjen, sepse dorëheqje nën presionin e një fuqie që ka dalë nga territori i vet dhe është futur në territorin e pavarësisë së pushtetit ekzekutiv nuk ka”, tha Rama.
Rama vuri në dukje se “ne jemi të pavarur në të drejtën tona për të marrë vendime”, duke shtuar “se s’ka prokuror dhe gjykatës që t’i vërë në diskutim!”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



