Politike

Rasti Balluku/ Rama: Pezullimi i papranueshëm! Kanë boshllëk në tru ata që nuk i dhanë drejtim çështjes

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama foli në mbledhjen e grupit të PS për rastin Balluku, për të cilin Kushtetuesja nuk arriti shumicën dhe kërkesa e tij u rrëzua duke lënë kështu në fuqi pezullimin nga detyra.

Rama tha se boshllëku në ligj është sipas tij në trutë e atyre që si dhanë drejtim kësaj çështje duke u bazuar në frymën e kushtetutës. Rama tha pezullimi me vendim të GJKKO-së, nuk cenon personin por individin.

“Mendoj që boshllëku është në trutë e atyre që si dhanë drejtim, bazuar në frymën e kushtetutës dhe në modelin demokratik të ndarjes së pushteteve, jo në të gjithë europën, por në të gjithë planetin. Nuk është nevoja të jetë çdo gjë e shkruar në germën e ligjit, nëse në frymën e kushtetutës janë të qarta orientimet për të gjithë ata që jetojnë nën atë kushtetutë. Ajo që e bën skandaloz, të pajustifikueshëm dhe të papranueshëm pezull nga një prokuror dhe gjykatës në një seancë paraprake pa nisur gjyqi për një anëtar të kabinetit qeveritar, është fakti se pezullimi nuk cenon personin, i cili prezumohet që është në proces hetimi. Pezullimi cenon funksionin.

Të gjithë ato funksione që solli Manja si pjesë e grupi nismëtar për këtë ndryshim, janë funksione që nuk ushtrohen dot pa personin. Kur pezullohet një ministër, nuk pezullohet thjesht vajtja në punë e një individi, por pezullohet puna e një institucioni. Ajo ministri s’ka kapacitet të propozojë asgjë në Këshillin e Ministrave, se nuk përfaqësohet nga personi i ngarkuar si përfaqësues si vullnetit kushtetues”, tha Rama.

Ai tha se ndryshimet ligjore për të frenuar gjykatat të pezullojnë nga detyra ministrat dhe psote të tjera kushtetuese, nuk kanë lidhje me rastin Balluku.

Për këtë rast, kryeministri u shpreh se “do merremi me pezullimin për ta refuzuar me vullnetin e shumicës në kuvend ndërhyrjen në territorin kushtues të pushtetit ekzekutiv.”

Rama tha se askush nuk duhet të mendojë se ka në dorë edhe gurin edhe arrën për të goditur këtë shumicë qeverisëse.

“Fryma e Kushtetutës dhe orientimet themelore të Kushtetutës nuk mjaftojnë, praktikat e të gjitha vendeve që ne u ngjajmë nuk mjaftojnë, atëherë duhet bërë neni me të gjitha përcaktimet, funksion për funksion, në mënyrë që të mos ketë më mundësi interpretohet. Kjo është arsyeja përse ne e bëjmë këtë ndryshim. Kush e lidh me rastin konkret bën gabim, rasti konkret ka rrugën e vetë, nuk ka lidhje me pezullimin.

Por pezullimi është i papranueshëm, dhe për këtë arsye ne do merremi me pezullimin për ta refuzuar me vullnetin e shumicës në kuvend ndërhyrje në territorin kushtues të pushtetit ekzekutiv. Askush nuk duhet të mendojë se ka në dorë edhe gurin edhe arrën për të goditur këtë shumicë qeverisëse. Ashtu sikundër askush s’duhet ta mendojë se kjo masë, apo të tjera masa në vijim, kanë të bëjnë me lëkundjen tonë për të mbështetur pa rezervë pavarësinë e drejtësisë”, tha Rama.

 Ai tha se pushteti ekzekutiv është i pavarur dhe se nuk ka asnjë gjykatës dhe prokuror që të vejë në diskutim vendimet e qeverisë.

“Në vend që të merret një vendim i bazuar në arsye kushtetuese, merret një vendim i bazuar në politikë dhe në ojat e brendshme të njërit e tjetrit për të mbajtur ekuilibra politike. Nuk është thjesht në Shqipëri. Çfarë bën mosvendimi? Bën që çdonjëra nga ato figura që u përmendën në relacion të jenë vulnerabël ndaj pezullimit, kufiri ndarës midis pushteteve të jetë si ato gardhet me një vrimë, ku hyjnë e dalin qentë dhe minjtë. Nuk e lejojmë. Vendosja e këtij kufiri është e rëndësishme për të përcaktuar edhe një ndarje tjetër që, e them me keqardhje, nuk ekziston te shumëkush, pse vetëm pushteti gjyqësor është i pavarur? Kushtetuta thotë se ka tre pushtete të pavarura. Përveç gjyqësorit, janë edhe legjislativi dhe ekzekutivi. Për çfarë jemi të pavarur ne në raport me gjyqësorin?

Ku gjyqësori nuk duhet ta imagjinojë se mund të hyjë në territorin tonë? Jemi të pavarur për të marrë vendime dhe nuk ka prokuror apo gjykatës t’i vërë në diskutim. Ai pushtet i pavarur prej nesh është pikërisht për të vigjiluar nëse vendimet tona janë vendime që burojnë vetëm nga qëllimet e shpallura”, tha Rama.

Kryeministri Edi Rama tha se Parlamenti i Shqipërisë do të shprehet fillimisht për kërkesën e SPAK ku është kërkuar heqja e imunitetit të deputetit Belinda Ballukut dhe më pas për ndryshimet ligjore të prezantuara sot në mbledhjen e grupit parlamentar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë