Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri Edi Rama mblodhi grupin parlamentar, ku u prezantuan edhe ndryshimet e propozuara ligjore, përmes së cilave synohet që të mos lejohen më gjykatat të pezullojnë nga detyra ministrat, apo postet e tjera kushtetuese.
Ndryshimet ligjore mbajnë firmën e tij, kreut të grupit të PS, Taulant Balla dhe të kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.
Kryeministri Edi Rama tha se ky draft nuk cenon gjyqësorin, duke shtuar se nuk ka lidhje me rastin Balluku. Për këtë të fundit tha se ka dorëzuar 3 herë dorëheqjen, por ai nuk ia ka pranuar.
Pas prezantimit në grupin e PS, propozimi me ndryshimet ligjore për nenin 242 të Kodit të Procedurës Penale do të depozitohen në Kuvend.
Partia Socialiste do të prekë nenin që aktualisht nuk lejon pezullimin nga detyra vetëm të deputetit apo kryebashkiakut. Në të, do të shtohen edhe Presidenti, Kryeministri, zv.kryeministri, ministrat, Avokati i Popullit, Kreu i KLSH-së dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.
Miratimi i këtyre ndryshimeve ligjore nuk ka fuqi prapavepruese dhe nuk çliron nga masa e pezullimit Belinda Ballukun, për të cilën socialistët pritet që këtë javë të mbledhin Këshillin e Mandateve për arrestimin, pasi Gjykata Kushtetuese të zbardhë vendimin e saj, ku la në fuqi pezullimin nga detyra.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja si një nga deputetët propozues të ndryshimeve ligjore u shpreh se propozohet që të shtohet rrethi i subjekteve ndaj të cilëve nuk mund të jepet si masë sigurie pezullimi nga detyra.
“Ky nen ka të bëjë me masat ndaluese që ka Kodi i Procedurës Penale dhe në pikën 1 të këtij neni, sqarohet kompetenca që gjykata në caktimin e masave ndaluese që janë dy, pezullimi nga detyra që është një masë gjyqësore që garanton hetimin dhe ndalimi i ushtrimit të një veprimtarie të caktuar. Nuk jemi te e dyta, por te pezullimi nga detyra. Masa e pezullimit nga detyra nuk shtrihet ndaj personave që zgjidhen sipas ligjit elektoral. Sipas ligjit elektoral zgjidhen anëtarët e Këshillave Bashkiakë, kryetarët e bashkive dhe deputetët. Propozojmë që në pikën 2 pra të shtohet rrethi i subjekteve ndaj të cilëve nuk mund të jepet si masë pezullimi nga detyra.
Ky rreth subjektesh shtohet me presidentin, Avokatin e popullit, kryeministrin, zv/kryeministrin dhe ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe kryetarin e KLSH. Ndaj tre subjekteve ndaj të cilave e përjashton masën e pezullimit nga detyra i shtohen edhe shtatë subjekte të tjera. I jemi referuar strikt Kushtetutës së Shqipërisë. Janë institucione që burojnë drejtpërdrejt nga Kushtetuta e Shqipërisë. Janë themelet e shtetit demokratik në Shqipëri”, u shpreh Manja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



