Nga Gazeta ‘Si’- Kushdo që dëgjoi Dash Sulën duke lavdëruar vizionin e Ramës, ndërsa ky i fundit e prezantoi si Kryeinspektor të Përgjithshëm, me të drejtë mund të ketë menduar se ka humbur ndonjë kapitull të rëndësishëm të politikës shqiptare.
Për ata që e mbajnë mend Sulën e pankartave, të protestave të gjithfarë formash para Kuvendit dhe të deklaratave të ashpra kundër qeverisë, kjo skenë duket më shumë si një montazh sesa si vazhdim logjik i një historie politike.
Por në fakt politika në Shqipëri ka dëshmuar shpesh se është e mbushur me histori kthesash te befta, sidomos kur në fund të rrugës qëndron një karrige.
Për vite me radhë, Dashnor Sula është shfaqur si një nga kritikët më të drejtpërdrejtë të Edi Ramës.
Për të, Rama ishte simboli i një qeverisjeje që duhej sfiduar, denoncuar dhe kundërshtuar pa ekuivokë.
Me nerv e zell të madh, sa në studio televizive e sa në foltoren e parlamentit, Dashnor Sula u përpoq të ndërtonte profilin e një deputeti që flet hapur dhe që denoncon skandalet dhe për këtë nuk e kurseu asnjëherë Ramën.
E quajti armik, diktator, hajdut dhe i ngjiti nga pas një aradhë fyerjesh, sharjesh e epitetesh sa herë që iu dha rasti.
Por politika ka një zakon të vjetër: ndryshon ritmin sapo ndryshon pozicioni. Dhe pika e kthesës nuk ishte kurrfarë debati ideologjik apo ndriçim i papritur politik.
Episodi kyç në këtë histori, pa të cilën rrëfimi do të ishte krejt i mangët është momenti i listave të mbyllura.
Në zgjedhjet e majit të vitit të shkuar,Dash Sula befas u gjend jashtë listave të mbyllura të Partisë Demokratike për Elbasanin duke u përballur për herë të parë me realitetin e përjashtimit.
Dhe aty nisi faza e re e udhëtimit politik të tij: kërkimi i një rruge alternative për të mbetur në lojë.
Lëvizja e parë nuk ishte drejt qeverisë, por një ndalesë e ndërmjetme. Ai u çapit të gjente mbështetje tek Adriatik Lapaj, një hap që ruante ende pamjen e opozitarizmit dhe distancën simbolike nga pushteti.
Kjo lëvizje, ndonëse nuk kaloi pa u komentuar, në fund mbeti si një trokitje e butë: nëse s’ka vend këtu, ndoshta ka atje.
Por as aty nuk gjeti rehati.
Sipas Lapajt, pretendimi i Sulës për të qenë i pari në listën e kandidatëve për qarkun e Elbasanit e prishi “paktin”.
Në vazhdën e atyre zhvillimeve, më 19 mars të vitit të shkuar, Dashnor Sula kësaj here mori një ftesë nga vetë Rama.
Me hallin për të marrë votuesit e Peqinit, por me arsyetimin se Partia Socialiste është një shtëpi e hapur, Rama i vuri vetëm një kusht të vetëm që në dukje ngjau metaforik: para se të vish, duhet të heqësh morrat e kënetës.
Nëse për hir të metaforës fjalën parti do të zëvendësonim me kotec, mesazhi i Ramës ishte se Sula duhej të ‘dezinfektohej’ nga “morrat” e “kotecit” të PD para se të hynte në kotecin e tij.
Se sa shpejt ‘u dezinfektua’ Dashnor Sula, nuk do shumë mend për t’u kuptuar.
Sot, thuajse një vit më vonë e dëgjuam duke iu drejtuar Ramës jo më si kundërshtar. Kritikat e djeshme u arkivuan.
Në vend të retorikës së dikurshme, tani kemi një narrativë të re: konkurrim i ndershëm, vlerësim profesional, detyrë shtetërore.
“Po flas si burrë”, tha Sula, duke shtuar elementin më tradicional të politikës shqiptare se demek po i jep fjalën e nderit Ramës se do të bëjë çmos për të shlyer besimin e tij.
Ai tha se ndihet i vlerësuar që u përzgjodh në këtë post ndonëse i ka “gjuajtur me gurë shtëpisë” së tij.
Sigurisht, mbrojtësit e kësaj kthese mund të thonë se politika është art i mundësive, se vendi ka nevojë për bashkëpunim dhe se profesionistët duhet të shërbejnë pavarësisht bindjeve.
Kritikët, nga ana tjetër, do ta quajnë këtë një tjetër dëshmi se në Shqipëri, pushteti ka një aftësi të jashtëzakonshme për të zbutur tonet dhe për të shkrirë vijat e kuqe.
Megjithatë, në këtë linjë ndasish të mëdha ka një të vërtetë për të cilën duhet rënë në një mendje: bindjet politike rezistojnë derisa përplasen me realitetin.
Një mbyllje listash, mund të hapë dyer që më parë dukeshin krejt të paimagjinueshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



