Nga Gazeta ‘SI’ – Kryeministri Edi Rama prezantoi sot Kryeinspektorin e ri të Përgjithshëm, Dashnor Sula.
Rama tha se tani, Sula, që vjen nga radhët e PD-së, do të testohet “si do e bëjë punën për të cilën nuk na ka lënë gjë pa na thënë ne”.
“Nuk kemi bërë progresin e nevojshëm, mbetet një problem në organizim, mendësi dhe në hendekun midis shërbimit dhe pengimit të atyre që duhet të shërbehen dhe që jo rrallë në vend së të shërbehen, të keqtrajtohen dhe abuzohen. Kur vjen puna te shteti, për aq kohë sa na jepet mundësia, mirë është të përpiqemi sëbashku, kjo është edhe një lloj sfide personale sepse zotëria nuk më ka kursyer kur isha në Parlament”, tha kryeministri.
Ai “këshilloi” kryeinspektorin e ri se duhet të ulet numri i inspektimeve nëpër biznese pasi sjellin tension e rrëmujë.
“E fundit që kam folur me Dashin është digjitalizimi, ka potencial për ta çuar sistemin në nivel tjetër dhe më të besueshëm. Ka nevojë për një trupë inspektimi. Duhet një kanal ankesash me integritet, jo vjen ankesa dhe më para i shkon atij për të cilin bëhet ankimi se inspektorit. Ne besojmë se reforma është e duhura, legjislacioni po ashtu, fuqia që i është dhënë inspektorit të përgjithshëm dhe mundësia që i është dhënë sistemit janë të duhurat, tani duhet zbatim”, u shpreh Rama.
Sula, tha se ndihet i vlerësuar që u përzgjodh në këtë post dhe se e vlerëson vizionin e qeverisë Rama, ndonëse i ka “gjuajtur me gurë shtëpisë”.
“Unë ju garantoj sot këtu, në ditën e parë, që unë tre gjëra i kam të panegociueshme dhe do i zbatoj.
Në radhë të parë, përkushtimin tim 24 orë, telefoni im do jetë i hapur dhe nëse do ketë një çast të vetëm që kushdo do t’i bjerë dhe unë s’do përgjigjem në çast. E kam numrin publik, do punojmë bashkë për ato detyra që na jep ligji. Zero njerëz që do futen në punë përmes ryshfetit apo korrupsionit”, tha Dashnor Sula.
Këshilli i Ministrave e emëroi ish-deputetin e Partisë Demokratike, Dashnor Sula, Kryeinspektor të Përgjithshëm, më 6 shkurt. Sula zëvendësoi në këtë detyrë Shkëlqim Hajdarin, i cili nga ana tjetër është emëruar prefekt i Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



