Politike

Bylykbashi ironizon socialistët tek ‘Zgjedhorja’: Na shqetëson talenti juaj për manipulim votash

Nga Gazeta ‘Si’- Ndonëse Partia Demokratike u rikthye në tryezë për Reformën Zgjedhore, mbledhja nuk kaloi pa thumba mes socialistëve dhe demokratëve.

Fillimisht ishte deputeti socialist Ulsi Manja ai që ironizoi opozitën pasi kjo e fundit kërkoi shtimin e ekspertizës për qëndrat e votimit dhe të numërimit.

Manja tha se tani kishte ngelur që të merreshin vetëm disa ekspertë nga OKB-ja për këtë çështje, batutë e cila u shoqërua me të qeshura në sallë.

“I dimë sfidat, i dimë çështjet, i dimë çështjet e ekspertëve. E dimë se sa mbarojmë një palë zgjedhje, fillojmë përsëri reformën zgjedhore, për rekomandimet e OSBE dhe ODIHR. Madje ky Komision në nivel ekspertize, nuk e di se si mendojnë shqiptarët, por do ishte mirë të sillnim edhe ekspertë nga OKB-ja…”, tha ai.

Mandej, bashkëkryetari i PD Oerd Bylykbashi ndërsa tha se duhej të pengohej manipulimi i zgjedhjeve, ironizoi socialistët duke shtuar se opozitën e shqetëson ‘talenti i tyre për të manipuluar zgjedhjet’.

 “Për fat të mirë apo të keq, ky është komision serioz. E dyta, ore nuk e di se ç’ju thotë ai kryeministri juaj për Bordin e Paqes atje, por kjo është më e thjeshtë. Është më e thjeshtë, sepse përsa i përket ekspertizës do ishte manuali më perfekt për të provuar se si manipulohen zgjedhjet.

Na shqetëson talenti se si manipulohen zgjedhjet, kjo na shqetëson ne dhe këtë po trajtojmë këtu, ndaj ta marrim më me seriozitet këtë punë. Nuk është vetëm çështje ekspertize, ndaj po zhvendoset nga numërim i përqendruar te i decentralizuar, sepse rezultatet manipulohen. E kemi zhvendosur me konsensus për aryse të thjeshtë, se manipulohet rezultati në mënyrë brutale”, vijoi ligjvënësi opozitar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë