Politike

Mblidhet ‘Zgjedhorja’, Gjiknuri: Janë të ftuara të gjitha partitë e vogla

Nga Gazeta ‘Si’- Komisioni për Reformën Zgjedhore është mbledhur këtë të premte duke hapur diskutimet për ndryshimet e reja në legjislacionin zgjedhor dhe përmbushjen e rekomandimeve ndërkombëtare.

Bashkëkryetari i komisionit, Damian Gjiknuri, theksoi se prioritet mbetet përmbushja e të gjitha detyrave të lëna nga Komisioni Europian. Ai nënvizoi se, edhe pse mazhoranca i ka 71 votat e nevojshme për miratimin e ligjit, synimi është që reforma të kalojë me konsensus të gjerë politik.

“Detyrat që na ka dhënë Komisioni Europian duhet të përmbushen. Pavarësisht se drafti i partive politike kërkon 71 vota, mazhoranca e ka thënë qartë se këtë ligj duam ta trajtojmë në mënyrë konsensuale. Do të ketë transparencë për fondet për të gjitha partitë. Përtej tensioneve politike, kjo ishte e nevojshme, pasi do të ketë garë mes partive”, u shpreh Gjiknuri, duke shtuar se procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe transparent.

Nga ana e opozitës, bashkëkryetari i komisionit, Oerd Bylykbashi, deklaroi se reforma duhet të shmangë përsëritjen e situatave të vitit 2020 dhe rasteve të tjera ku, sipas tij, vendimmarrja në Parlament ka devijuar nga marrëveshjet fillestare.

“Do të jetë një punë me rëndësi, siç është dëshmuar në të shkuarën. Nuk duhet të përsëritet ajo që ndodhi në vitin 2020 dhe që u ripërsërit në momentin e votimit të Avokatit të Popullit, ku në Parlament u votua një gjë krejt tjetër. Ky Komision ka për detyrë të trajtojë rekomandimet e OSBE/ODIHR me konsensus. Duhet të marrim më të mirën e proceseve të shkuara dhe të lëmë mënjanë faktorët që kanë çuar në dështim. Kjo është parakusht për suksesin e reformës”, tha Bylykbashi.

Ai theksoi se ishte i domosdoshëm hartimi i një strategjie të qartë dhe gjetja e zgjidhjeve teknike, duke nënvizuar se sistemi zgjedhor dhe, sipas tij, “pushtimi i zgjedhjeve nga shteti” mbeten problematika serioze. Sipas tij, kjo nis nga përdorimi i individëve në proces e deri te përdorimi i pushtetit shtetëror.

Bylykbashi shtoi se financimi i partive politike duhet parë jo vetëm nga aspekti i transparencës, por edhe nga qëndrueshmëria e burimeve, në mënyrë që partitë të mos bëhen të varura apo të cenueshme nga presione të jashtme.

Nga ana tjetër, Gjiknuri u bëri thirrje partive të vogla politike të marrin pjesë aktive në tryezat dhe konsultimet publike për ligjin e ri zgjedhor, duke theksuar se çdo rekomandim i tyre është i vlefshëm.

“Kanë të njëjtat të drejta për të propozuar vendime, për të marrë pjesë në Komision. Mund të propozojnë drafte, politika të caktuara dhe të komunikojnë me ekspertët për gjithçka që mendojnë se është e padrejtë.”

“Të gjithë aktorët politikë duhet të jenë në këtë tryezë. Ligji për financimin dhe Kodi Zgjedhor do të trajtohen. Partitë politike janë thelbësore, janë institucione të rëndësishme sepse përfaqësojnë politikat që do të drejtojnë vendin. Ndaj e kemi vendosur këtë si çështje prioritare. Kemi mundësi të bëjmë diçka të mirë, përtej tensioneve”, u shpreh Gjiknuri.

Ndërkohë, Bylykbashi theksoi rëndësinë e adresimit të shkeljeve ligjore që ndodhin jo vetëm gjatë ditës së zgjedhjeve, por edhe në periudhën para tyre, duke shtuar se negociatat dhe zgjidhjet duhet të jenë gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë