Politike

Kuvendi me deklaratë për gjyqin në Hagë: Të mos cenohet e vërteta historike

Nga Gazeta ‘Si’- Kuvendi i Shqipërisë miratoi një deklaratë në të cilën shprehet mbështetja për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpalljen e tyre të pafajshëm.

Deklarata u propozua nga kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla dhe u hartua nga dy deputetët, Igli Hasani nga PS dhe Tritan Shehu nga PD.

Në projekt-deklaratë, shprehet mbështetja totale ndaj luftës çlirimtare të Kosovës kundër regjimit të Millosheviçit.

Kuvendi i Shqipërisë kundërshton dënimin me 180 vite burg të 4 ish-krerëve të UÇK-së, pretencë e prokurorëve specialë, dhe shpalljen e tyre të pafajshëm.

“Kuvendi, duke mbajtur parasysh të vërtetën historike të luftës së UÇK-së, thekson se kjo ushtri ishte një lëvizje legjitime çlirimtare që luftoi për të drejtat e njeriut. Kuvendi vëren me shqetësim se kërkesa e Prokurorisë Speciale rrezikon të krijojë një shtrembërim të rrezikshëm të historisë, duke barazuar luftën legjitime të një populli për mbijetesë dhe liri me krimet e regjimit serb, që kreu spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullit të Kosovës.

Kuvendi i Shqipërisë deklaron mbështetje të plotë dhe të pakushtëzuar për drejtuesit e UÇK-së, që ishin dhe mbeten përfaqësues të aspiratave dhe të drejtave të popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. Lufta e tyre ishte e drejtë, e mbështetur në parimet universale të të drejtave të njeriut. I drejton kërkesë Dhomave të Specializuara në Hagë, komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare që të deklarojnë pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, përmes një procesi të drejtë dhe të paanshëm që respekton dhe nuk cenon dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.

Kujton bashkësinë ndërkombëtare se lufta e UÇK-së u zhvillua në kushtet kur regjimi i Millosheviçit po kryente spastrim etnik dhe akte gjenocidale ndaj popullatës civile të Kosovës, dhe se ndërhyrja e NATO-s në vitin 1999 konfirmoi legjitimitetin e asaj lufte dhe natyrën kriminale të regjimit të Millosheviçit. Shpreh solidaritet të plotë me popullin e Kosovës dhe familjet e drejtuesve të UÇK-së, duke ritheksuar se kombi shqiptar qëndron i bashkuar në mbrojtjen e të vërtetës historike dhe të dinjitetit të luftës për liri.

Shpreh angazhimin për të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm diplomatik dhe politik në forumet ndërkombëtare për të siguruar që e vërteta historike mbi luftën e UÇK-së të mos cenohet dhe drejtësia të ushtrohet në mënyrë të drejtë”, thuhet në deklaratë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë