Nga Gazeta ‘Si’- Seanca e sotme parlamentare u zhvillu me debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës.
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha sqaroi fjalorin që përdori ndaj deputetes Balluku, pasi tha se deputetët e PS sipas tij po mbrojnë “vithet e Belindës”.
Ai iu drejtua socialistëve duke iu thënë që të mos bëhen histerikë, pasi mund të kishte përdorur edhe fjalën “dollapët” por sipas tij, e tha në mënyrë që të ishte më e kuptueshme për popullin.
Më tej pasi opozita bllokoi edhe foltoren për disa minuta, mori fjalën përsëri për replikë, duke iu përgjigjur akuzave të mazhorancës.
“Bëni parzmoren e Edi Ramës dhe Ballukut që kanë depozituar miliardat, ndërkohë që njerëzit tuaj ndërrojnë jetë në spitale pa ilaçe. Ndërkohë që vetëm nga një sëmundje, nga Covid-i, për shkak të vjedhjes së mbi 500 milionë eurove në tendera, vdiqën në Shqipëri 18 mijë qytetarë nga 2800 që fshihte Edi Rama.
Ndërkohë që spitalet me sëmundje më të rënda janë pa ilaçe, pa mjekim, që përbën krime kundër njerëzimit.
Dhe ju që u tërbuat me një fjalë, e cila ishte nga më të përzgjedhura në gjuhën shqipe, po sikur t’u thoja dollapë, çfarë do thonit? Prapë do protestonit. Mos u bëni histerikë.Po mbroni hajdutë”, iu drejtua Berisha socialistëve.

Më tej, ai u ndal edhe tek protesta e 10 shkurtit ku tha se sipas tij asnjë nga efektivët që u raportuan se u lënduan nga molotovët, nuk kishin shkuar në spital.
“Ua tregoj unë historinë. Shkova në urgjencë, kishin dhënë komunikatën se janë 17 policë. Asnjë, asnjë, asnjë. Nxirrni një gërvishtje, nxirrni një të plagosur, gënjeshtarë, gënjeshtarë. Përkundrazi, i gjuajtët me plumba gome në kokë, të cilët janë letalë në kokë.
I gjuajtët me snajper protestuesit. Kurse për të rinjtë, janë tmerri juaj. Prisni se është fillimi. Ata do u groposin ju.
Ju që keqtrajtuat të rinjtë me qëllim, ju që keqtrajtuat me një urrejtje të jashtëzakonshme të rinjtë në protestë, prisni zemërimin e tyre, se absolutisht ju do pësoni atë që nuk e mendoni kurrë. Do merrni atë që meritoni nga të rinjtë. Ç’është kjo urrejtje, mor?
Keni mbushur qelitë me 12 adoleshentë sepse sipas jush adoleshentët nuk duhet të protestojnë, por duhet të rrinë në shtëpi. Nuk duhet t’u urrejnë, por duhet t’u duartrokasin. Jo mor jo, rinia shqiptare është zgjuar, do u fshijë ju”, tha Berisha.
Ndërkohë, deputetja socialiste Sara Mile, iu kundërpërgjigj Berishës me një gjuhë mjaft të ashpër.
“Meqë na përmende mbrojtjen e prapanicës, po ti që ke një jetë që nuk u lodhe për atë prapanicën tënde, ti e këta?!”, tha Mile.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



