Politike

Çështja ‘Balluku’, Peleshi u përgjigjet akuzave të Shehajt: Materialet nuk janë kyçur

Nga Gazeta ‘Si’– Deputeti i Partisë Mundësia, Agron Shehaj kërkoi dosjen e zv.kryeministres Belinda Balluku, duke akuzuar mazhorancën se po e mbrojnë.

Sipas Shehajt, dosja, që i ishte dorëzuar Kuvendit nga SPAK për heqjen e imunitetit, ka mbi një muaj që është marrë, por është mbajtur e kyçur në kasafortë dhe është shpërndarë vetëm tek një grup deputetësh, të cilët nuk kanë reaguar.

“Keni mbi një muaj që keni marrë nga SPAK një dosje që i është drejtuar Kuvendit dhe që ju është dhënë për t’ua përcjellë deputetëve, pasi ne duhet të votojmë për heqjen e imunitetit.

Ju këtë dosje e keni kyçur në kasafortë dhe e keni shpërndarë vetëm te një grup deputetësh, të cilët, rastësisht, nuk kanë thënë asnjë fjalë në lidhje me këtë çështje. Në këtë Parlament, ajo dosje është sikur nuk ekziston. E keni zhdukur, e keni ndarë mes njëri-tjetrit dhe po mbroni një të akuzuar për abuzim me fondet e shtetit.

Zoti Kryetar, kjo nuk është vetëm një shkelje e Rregullores dhe e Kushtetutës. Me këto veprime, ju po mbroni korrupsionin me postin tuaj. Po mbroni të korruptuarit, dhe kjo është e papranueshme”, tha Shehaj.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi tha se dosja është sekret hetimor dhe me urdhër të SPAK nuk lejohet shpërndarja, por atë e kanë marrë vetëm anëtarët e Këshillit të Mandatit.

 “Të gjithë deputetët, që janë anëtarë të Këshillit të Mandateve mund t’i shohin, ky këshill i shqyrton materialet dhe që paraqet raportet. Padyshim, rregullorja na detyron që në raport të përfshihen të gjitha opinionet e palëve”, tha ai, ndërkohë që kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj e kundërshtonte me tone të larta nga vendi.

Peleshi e theksoi se deputetët që podesojnë materialet “nuk duhet t’i nxjerrin ato” në zbatim të urdhrit të Prokurorisë së Posaçme dhe se përbën “sekret hetimor”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë