Politike

Mblidhet Kuvendi/ Interpelancë me ministren e Arsimit, kërkohen shpjegime dhe për shëndetësinë

Nga Gazeta ‘Si’- Kuvendi i Shqipërisë do të zhvillojë sot në 12 shkurt seancën e radhës plenare, e cila pritet të shoqërohet me debate të forta, për shkak të çështjeve të ndjeshme të përfshira në rendin e ditës dhe klimës së tensionuar politike në vend.

Në qendër të diskutimeve do të jenë dy interpelanca me ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, të fokusuara te siguria në institucionet arsimore.

Interpelanca e parë është kërkuar nga deputetja Erisa Xhixho, e cila ka ngritur shqetësimin për situatën e sigurisë në shkolla, pas disa ngjarjeve tragjike ku të mitur kanë humbur jetën si pasojë e konflikteve me bashkëmoshatarët. Ajo pritet të kërkojë informacion të detajuar mbi masat parandaluese, politikat e ndjekura nga ministria dhe bashkëpunimin me institucionet e tjera për të frenuar fenomenin e dhunës në ambientet shkollore.

Në të njëjtën linjë është edhe kërkesa e deputetit Kapri, i cili do të kërkojë sqarime për strategjitë konkrete të qeverisë për garantimin e sigurisë së nxënësve dhe stafit pedagogjik.

Përveç çështjeve që lidhen me arsimin, në rendin e ditës është parashikuar edhe një seancë pyetje-përgjigje mes deputetit të Partisë Socialiste, Erion Braçe, dhe ministres së Shëndetësisë, Evis Salla.

Braçe ka shprehur shqetësimin për mosfunksionimin e plotë të qendrës shëndetësore në rrugën “Irfan Tomini”, duke kërkuar shpjegime mbi arsyet e situatës dhe masat që do të merren për të garantuar shërbim të plotë për qytetarët e zonës.

Seanca plenare do të përfshijë gjithashtu shqyrtimin dhe votimin e një sërë projektligjesh dhe projektvendimesh me rëndësi.

Mes tyre janë propozime për ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, amendime në ligjin “Për akcizat”, si dhe rishikime në ligjin “Për Trashëgiminë Kulturore dhe Muzetë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë