Politike

Berisha: Rama ka vendosur ta shkëpusë Shqipërinë nga integrimi në BE (foto)

Nga Gazeta ‘Si’- “Shqipëria është në momentin më kritik të 35 viteve të fundit”. 

Kështu e nisi fjalën e tij në protestën e opozitës kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha i cili u shpreh se demokratët janë mbledhur në shesh në “kryengritje paqësore”.

Sipas Berishës, Shqipëria po përballet gjatë këtyre 13 viteve në drejtimin e Partisë Socialiste me pasoja katastrofike. Ai u shpreh se Bashkimi Europian ka paralajmëruar për zhbërjen nga e para të procesit të anëtarësimit në familjen europiane.

Sipas tij, kreu i qeverisë ka vendosur të shkëpusë Shqipërinë nga integrimi në BE.

“Ka katër mandate që Shqipëria po vidhet pa ndalim, vit pas viti. Edi Rama nuk mjaftohet vetëm duke vjedhur dhe përzënë shqiptarët. Ai tani pasi BE i tha se duhet të përballet me ligjin ka vendosur të shkëpusë Shqipërinë nga integrimi në BE. Revolta dhe largimi i tij është rruga për të mbrojtur ëndrrën europiane si ëndrra më e bukur e kombit tonë.

Sot Shqipëria po përballet me pasoja më katastrofike. Prej 13 viteve të fundit, pasojat që gërryejnë, rrënojnë çdo ditë vetë ekzistencën e Shqiptarëve si banorë të saj, me pasoja që ditën e sotme nga Brukseli, Bashkimi Europian, për shkak të vjedhjes së papërmbajtur të shqiptarëve nga Ramaduro, dërgon paralajmërimin më ogurzi për Shqipërinë sikur më parë në ndonjë vend tjetër, paralajmërimin për zhbërjen nga e para të udhëtimit tonë plot sakrifica, shpresa, ëndrra drejt Bashkimit Europian”, tha Berisha.

Sipas tij, Rama për dy muaj u përpoq të bëntë grusht shteti për të mbrojtur Belinda Ballukun, e akuzuar dhe e marrë e pandehur nga SPAK për abuzime me tenderat në tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe.

Berisha deklaroi se kryeministri Edi Rama sipas tij ka përdorur të gjithë pushtetin për të bllokuar SPAK-un dhe për të bërë presione ndaj Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur Belinda Ballukun.

“Revolta juaj në protestën e kaluar dha një sinjal të qartë brenda dhe jashtë vendit se ne nuk do të tolerojmë kurrë grushtin e shtetit për të mbrojtur vjedhjet e Edi Ramës dhe Ballukut.

Dhe ja ku jemi këtu, përcilljani atij hajduti dhe mos e mbroni atë. Ja ku jemi këtu Edi Rama, edhe grushtin e dytë që po përgatit, do të dështojë.

Dhe, shkurti është muaji kur ne zvarritëm diktatorin, shkurti është muaji kur ne do çlirojmë Shqipërinë.

Po të mos ishit ju, viganë, që me guximin tuaj morët në dorë gazin dhe helmin dhe ua flakët mbrapsht hajdutëve, po të mos ishte juaj që me revoltën tuaj shpëtuat nderin dhe dinjitetin e çdo shqiptari, po të mos ishit ju që me trimërinë tuaj u bëtë lajm kryesor në Europë dhe në botë, po të mos ishit ju që rezistuat përballët helmit të skaduar dhe u përballët dhëmb për dhëmb me regjimin, absolutisht Edi Rama do ia kishte dalë me grushtin e shtetit.

Por ky grusht shteti dështoi sepse siç e patë, e denoncuam atë edhe në kancelaritë më të larta të Europës, kur puthadorët e regjimit shpërndanin lajmet e rreme se gjasme Berishës iu ndërpre fjala në Strasburg.

Në fakt, unë po bëja detyrën time para jush, po denoncoja me forcën më të madhe në aulën e demokracisë evropiane, Edi Ramën si kryehajduti i kombit shqiptar, Ramaduron si ndërtuesin e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë.

Kjo pra, miqtë e mi, është opozita e vërtetë. Revolta juaj është sot zëri i ndërgjegjes qytetare, zëri i dinjitetit qytetar, zëri i ndërgjegjes kombëtare, zëri i dinjitetit kombëtar”, tha ai.

Sali Berisha pati një thirrje edhe për të gjitha forcat opozitare gjatë protestës që zhvilloi opozita para Kryeministrisë. Kreu i demokratëve u shpreh se forcat opozitare duhet të bashkohen dhe se ata që dalin kundër turpërojnë veten. Sipas tij, në kohë të vështira edhe SHBA-të u bashkuan me Bashkimin Sovjetik dhe tha se diçka të tillë duhet ta bëjnë edhe opozitarët për të larguar Ramën.

Menjëherë pasi ai foli, plasën shishet me molotov dhe fishekzjarrët.

Nënkryetari i Partisë Demokratike Agron Gjekmarkaj ishte i pari zyrtar që nisi fjalimet në protestën e sotme të opozitës.

Gjatë fjalës së tij, Gjerkmarkaj ngriti akuzat ndaj qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama duke thënë se ai e “Ka zgjatur jetën e vet përmes manovrave të padenjave”, duke iu referuar pretendimeve për manipulim të zgjedhjeve.

Nënkryetari i PD-së shtoi se Rama sipas tij e ka shndërruar shtetin në mjet pushteti.

Më pas duke iu referuar çështjes së pezullimit nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku nga Gjykata Kushtetuese dhe qëndrimit që mbajti kryeministri për shkak të mos arritjes së një kuorumi nga trupa gjykuese që u nda 4 me 4, Gjekmarkaj shtoi: “Kupa është mbushur, në pushtet për të ruajtur veten është i aftë të zhdukë çdo nuancë të drejtësisë. Dje Rama hoqi maskën e fundit për të mbrojtur zëvendësen e vet Belinda Ballukun.”

Edhe anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, mjeku Ilir Alimehmeti mbajti një fjalim ku akuzoi qeverinë për shpopullimin e vendit.

Ndërsa fliste për shifrat e shqiptarëve që sipas tij janë larguar nga vendi, Alimehmeti u shpreh: “Është fakt që një në 5 shqiptarë sot në Shqipëri po mendon të largohet, për shkak të politikave që po ndjek Edi Rama dhe Rilindja.”

Ai shtoi: “Sot nuk ka kush i ha më dardha pas shpine, kur ke gjithë pushtetin ke dhe përgjegjësinë për dështimin. Nuk ka akuzë më të madhe historike se sa populli kur ikën, kur populli largohet, merr rrugët e botës. Nuk ka akuzë më të madhe publike se sa shpopullimi i vendit.”

Për të garantuar sigurinë e protestës, u angazhuan 1350 efektivë në terren. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë