Politike

Gjyqi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Spiropali: Drejtësia duhet të jetë e paanshme

Gazeta Si – Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, deklaroi se Shqipëria po ndjek “me shqetësim të thellë” zhvillimet në Dhomat e Specializuara të Hagës, ku sot prokuroria paraqiti kërkesën për dënimin me 180 vite burg në total ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një postim në rjetet sociale, ministrja thekson se ajo që ushqen më shumë perceptimin e një ashpërsie të njëanshme kah ish-krerëve të UÇK-së, është fakti se në të njëjtën mënyrë nuk janë trajtuar as përgjegjësit e aparatit shtypës të regjimit serb.

“Kohëzgjatja e paraburgimit, që tashmë ka kaluar pesë vjet pa një vendim përfundimtar, dhe natyra e akuzave të ngritura, ngrenë pikëpyetje serioze mbi proporcionalitetin, standardet e procesit të rregullt ligjor dhe respektimin e të drejtave themelore të njeriut. Kjo situatë ushqen gjithnjë e më shumë perceptimin e një ashpërsie të njëanshme në trajtimin e kësaj çështjeje, sidomos kur krahasohet me mënyrën se si janë trajtuar përgjegjësit e aparatit shtypës të regjimit serb. Edhe sot, shumë nga krimet e kryera nga forcat serbe ndaj popullsisë civile të Kosovës mbeten të patrajtuara dhe pa përgjegjësi të plotë penale. Kjo pabarazi në ndjekjen e drejtësisë rrezikon të krijojë ndjesinë e standardeve të dyfishta dhe të cenojë besimin e publikut në drejtësinë ndërkombëtare”, deklaroi Spiropali.

Më tej ajo thekson se drejtësia ndërkombëtare duhet të jetë e paanshme, e balancuar dhe e mbështetur në prova të pakontestueshme.

“Pa krijuar perceptimin e trajtimeve selektive ndaj palëve të përfshira në konflikt. Drejtësia që perceptohet si e njëanshme rrezikon të dëmtojë besimin publik dhe të lërë plagë të reja në një rajon që ka nevojë për pajtim të qëndrueshëm”, shton Spiropali.

Ministrja nënvizon se UÇK-ja ishte një lëvizje çlirimtare që gëzoi mbështetjen e gjerë edhe të bashkësisë ndërkombëtare në përballe me një regjim që ushtroi dhunë sistematike, spastrim etnik dhe krime të dokumentuara kundër popullsisë civile.

Sipas saj, proceset gjyqësore që trajtojnë individë të asaj lufte duhet të ruajnë me kujdes dallimin thelbësor mes përgjegjësisë individuale penale dhe karakterit historik të luftës për liri.

“Gjykata ka sot një përgjegjësi të veçantë për të garantuar që procesi të mos lejojë që gjuha dhe qasja e Prokurorisë të prekin padrejtësisht luftën çlirimtare, historinë e pavarësisë dhe dinjitetin e atyre që luftuan për liri. Vetëm një vendim i drejtë, i bazuar në prova dhe në standardet më të larta të drejtësisë, mund të largojë hijen e rëndë që këto qëndrime kanë hedhur mbi kujtesën historike të një lufte të drejtë”, deklaroi Spiropali.

Më tej ministrja riafirmon qëndrimin e Shqipërisë se drejtësia duhet të shërbejë për të vërtetën dhe pajtimin dhe jo për të krijuar narrativa që rishkruajnë historinë ose relativizojnë përgjegjësitë e njohura ndërkombëtarisht për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë.

Më herët, Prokuroria Speciale në Hagë kërkoi nga 45 vite burg për ish-komandantët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri VBeseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë