Nga Gazeta ‘Si’- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka komentuar sërish vendimin e Kushtetueses për pezullimin nga detyra të Ballukut, duke u shprehur se gjyqtarët, të cilët votuan 4 me 4, sipas tij kanë dhënë vendimin nën diktatin e Edi Ramës.
“4 gjyqtarë të saj votuan kundër heqjes së pezullimit, votuan duke shkelmuar ligje dhe kushtetutë, votuan në diktatin e egër të Edi Ramës. Faktikisht, Balluku mbeti e pezulluar, por gjykata pezulloi veten e vet”, tha Berisha.
Më tej, kryedemokrati u ndal edhe te deklarata e Ramës pas mbledhjes së grupit të PS-së ditën e sotme, ku tha se kreu i qeverisë kërcënoi në mënyrën më të paskrupullt Prokurorinë dhe Gjykatën e Posaçme.
“Edi Rama kërcënoi në mënyrën më të paskrupullt prokurorinë, gjykatën dhe u zotua se do mbrojë gjer në pikën e fundit të tij veten dhe Ballukun.
Ai është thirrur sot në Bruksel. Sipas medieve, sepse nuk dihet, por mediat shkruajnë se ka takim, është thirrur direkt nga numri një i Këshillit të BE për t’i komunikuar qëndrimin e prerë të BE ndaj qëndrimeve të tij antikushtetuese, antidemokratike, ndaj zotimit të tij për të vazhduar grushtin e shtetit.
Pra, ju e patë, ju e shihni, ai shkon në Bruksel me fustanin e Ballukut, në kuptimin që shkon si avokat i turpshëm i saj dhe të gjitha i ka për veten e tij.
Në Bruksel, dhe në mbarë kryeqytetet, është kuptuar se çfarë përfaqëson, çfarë kalbësire përfaqëson Edi Rama. Është kuptuar se autori i aferave të Ballukut është direkt Rama. Është kuptuar se Edi Rama, për fatin e mirë të shqiptarëve, është Ergys Agasi.
Është kuptuar se ata, në sipërmarrjen e dominuar tërësisht nga familja e tij, në agjencinë e dominuar tërësisht nga familja e tij, AKSHI, jo vetëm kanë vjedhur qindra milionë, por kanë urdhëruar pengmarrje dhe krime të shëmtuara”, tha Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



