Nga Gazeta ‘SI’ – Organizata e Kombeve të Bashkuara parashikon një rritje më të ulët të ekonomisë shqiptare krahasuar me pritshmëritë e qeverisë.
Në raportin e saj për ekonominë botërore, OKB vlerëson se ekonomia e Shqipërisë do të rritet me 3.5% në vitin 2026 dhe me 3.2% në vitin 2027, ndjeshëm më pak se parashikimi zyrtar i qeverisë prej 4% për vitin 2026 dhe 3.9% për vitin 2027.
Duke vënë në dukje se rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto në vitet e fundit është mbështetur kryesisht nga turizmi dhe ndërtimi, OKB paralajmëron se në afatmesëm ekonomia shqiptare do të përballet me pasojat e emigrimit dhe plakjes së popullsisë. Perspektiva e zhvillimit përshkruhet e ngjashme edhe për vendet e tjera të Ballkanit.

“Një rrezik shtesë lidhet me shtimin e shpeshtësisë së ngjarjeve ekstreme klimatike, veçanërisht thatësirat, të cilat mund të ndikojnë negativisht në prodhimin e energjisë hidrike”, thuhet në dokument.
Sipas OKB-së, e gjithë Europa pritet të përjetojë një rritje ekonomike të dobët gjatë vitit 2026, si pasojë e presioneve të jashtme dhe sfidave strukturore të vazhdueshme. Tarifat më të larta në Shtetet e Bashkuara dhe pasiguritë gjeopolitike pritet të frenojnë eksportet dhe të ushtrojnë presion mbi ritmin e përgjithshëm të ekonomisë. Megjithatë, konsumi i qëndrueshëm i familjeve, i mbështetur nga lehtësimi i politikës monetare dhe tregje relativisht të forta pune, pritet të zbusë pjesërisht këto efekte.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



