Arsim

Karta e Studentit- një politikë publike që dështoi të ndihmojë studentët

Nga Gazeta Si- Karta e Studentit, e promovuar si një instrument mbështetës për lehtësimin e kostos së jetesës studentore, rezulton në praktikë një politikë formale me ndikim minimal dhe efekt pothuajse të papërfillshëm.

Sipas një raport-monitorimi nga Qëndresa Qytetare, në vitin akademik 2025-2026, në universitetet e Tiranës vetëm 29.32% e studentëve, ose 1 në 3 studentë janë pajisur me Kartën e Studentit, “shifër kjo e cila ngre një pikëpyetje të madhe sa i përket shërbimeve të ofruara në të”.

Në letër, karta përfshin 638 shërbime private, por struktura e tyre tregon një devijim nga nevojat reale të studentëve.

Mbizotërojnë shërbime të natyrës konsumatorë dhe argëtuese, kafe dhe restorante (144 shërbime), agjenci udhëtimi (71), elektronikë (54), dhurata (49) dhe fitness (34), ndërsa shërbime thelbësore si ushqimi i subvencionuar, librat, materialet akademike dhe strehimi mbeten të margjinalizuara ose thuajse të papërfaqësuara.

“Mensat” përfshijnë vetëm 2 shërbime, një shifër simbolike dhe pothuajse e papërfillshme, duke qenë se ushqimi i subvencionuar është një nga shtyllat kryesore të politikave sociale studentore në shumicën e vendeve europiane”, thuhet në raport.

Një tjetër element që vë në pikëpyetje efektivitetin e Kartës së Studentit është niveli real i uljeve të ofruara në shërbimet private, të cilat në shumicën dërrmuese të rasteve variojnë nga 2% deri në 5%, ndërsa vetëm në raste të izoluara arrijnë deri në 10%. Këto përqindje rezultojnë të jenë minimaliste dhe me ndikim të papërfillshëm në uljen e kostos reale të jetesës studentore, veçanërisht kur bëhet fjalë për shpenzime të përditshme dhe të domosdoshme.

Në praktikë, Karta e Studentit është reduktuar në një mjet të vetëm: abonenë falas të transportit urban. Pjesa dërrmuese e studentëve e përdorin kartën vetëm për këtë qëllim, duke e shndërruar atë nga një instrument gjithëpërfshirës mbështetjeje në një kartë transporti të maskuar si politikë sociale.

Mateo Yskollari, autori i raportit thotë se në kushtet kur studentët përballen çdo ditë me kosto të larta për ushqim, materiale mësimore, kancelari, pajisje teknologjike dhe shërbime të tjera bazë, mungesa e marrëveshjeve me markete, librari, kancelari dhe biznese studentore me ulje të konsiderueshme e bën Kartën e Studentit më pak tërheqëse dhe funksionale.

Si rrjedhojë, ajo perceptohet më tepër si një dokument formal sesa si një instrument real mbështetës, duke ndikuar drejtpërdrejt në rënien e interesit dhe nivelit të përfshirjes së studentëve në këtë skemë.

Konkretisht, Karta e Studentit përfshin vetëm 1–6 shërbime private (kancelari, markete dhe mensa), të cilat ndodhen në zona periferike dhe larg vendqendrimeve kryesore të studentëve, si rezidencat studentore dhe kampuset universitare.

“Mungesa e çdo shërbimi të tillë në afërsi të universiteteve apo qendrave rezidenciale e bën kartën funksionalisht të vështirë për t’u përdorur dhe ul ndjeshëm vlerën e saj praktike për studentët”, thotë Yskollari, duke shtuar se kjo shpërndarje jofunksionale e shërbimeve tregon mungesë analize paraprake të nevojave reale dhe të lëvizshmërisë së studentëve.

Situata bëhet edhe më problematike jashtë kryeqytetit.

Në Bashkinë Durrës, nga 16,467 studentë, vetëm 1,027 janë pajisur me Kartën e Studentit, ose vetëm 6.24%, duke lënë mbi 93% të studentëve jashtë skemës. Paradoksalisht, edhe nëse do të ekzistonte interes maksimal nga studentët, Bashkia ka planifikuar shpërndarjen e vetëm 10,000 kartave, duke përjashtuar automatikisht rreth 6,500 studentë të tjerë.

Në Bashkinë Shkodër, Karta e Studentit ende nuk është funksionale, pavarësisht se kanë kaluar dy vite nga firmosja e marrëveshjes me Ministrinë e Arsimit dhe pavarësisht se rreth 3,760 studentë mbeten pa akses në këtë shërbim.

Ndërkohë, Bashkia Vlorë, megjithëse ka ndërtuar infrastrukturën institucionale për kartën, nuk e ka ende operative për vitin akademik 2025–2026, për shkak të mungesës së koordinimit dhe dështimit administrativ për të përcaktuar një pikë kontakti funksionale.

Në tërësi, thotë Yskollari, autor i raportit, të dhënat sugjerojnë se Karta e Studentit nuk po funksionon si politikë reale sociale, por si një projekt i fragmentuar, i paqëndrueshëm dhe i orientuar më shumë drejt interesave tregtare sesa drejt nevojave të studentëve.

Pa një ristrukturim rrënjësor, që të vendosë në qendër ushqimin e subvencionuar, librat, transportin, strehimin dhe shërbimet akademike, Karta e Studentit rrezikon të mbetet një premtim politik i zbrazët dhe një instrument propagandistik pa ndikim real.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë