Kosova

Kosova përfundon rinumërimin, sot shpallen rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se të premten në mbrëmje, 30 janar, ka përfunduar procesin e rinumërimit të votave të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.

Rinumërimi është kryer pas dyshimeve për manipulime me votat e kandidatëve për deputetë.

Përgjatë procesit, votat për disa kandidatë ndryshuan – me raste deri në 6 mijë për një individ – ndërsa ato për partitë nuk u cenuan.

Autoritetet e zbatimit të ligjit kanë intervistuar qindra njerëz, kanë ndaluar dhjetëra dhe po vazhdojnë hetimet.

KQZ-ja ka paralajmëruar se do t’i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve në paraditen e 31 janarit.

Për disa zyrtarë shtetërorë, ky ka qenë “procesi më i komprometuar zgjedhor” në Kosovë, pasi vendi është lavdëruar shpesh nga organizata vendore dhe ndërkombëtare për organizim të proceseve zgjedhore të drejta dhe transparente.

Pse ndodhën tani manipulimet?

Agon Maliqi, njohës i çështjeve politike, i ka thënë Radios Evropa e Lirë më herët gjatë javës se mund të ketë ndikuar edhe mënyra e ndryshimit të votimit.

Në proceset e fundit zgjedhore, qytetarët kanë mundur të zgjedhin deri në 10 kandidatë për deputetë, nga 5 sa kanë qenë më parë.

Të tjerë e kanë përmendur faktin që ka pasur më pak vëzhgues, pas numërimi fillestar është kryer në ditët e festave të fundvitit.

Për Maliqin dhe njohës tjerë të kësaj fushe, manipulime të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Disa besojnë se ato mund të jenë kryer me miratimin e udhëheqësive partiake, disa jo.

Zyrtarë partiakë të Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i kanë dënuar dyshimet për manipulime dhe kanë kërkuar që përgjegjësit të mos amnistohen.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, çdo manipulim i qëllimshëm i votës apo rezultatit zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet me deri në pesë vjet burgim.

Pas certifikimit të rezultateve, hapet rruga për formim të institucioneve të reja.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, i ka fituar mbi 51 për qind të votave më 28 dhjetor dhe pritet ta formojë pa probleme Qeverinë e re.

Ai ka siguruar 57 ulëse në Kuvendin më 120 sosh.

Megjithatë, ai e ka pranuar vetë një ditë më parë se do të duhet të krijohet një raport i ri mes pushtetit dhe opozitës për çështje tjera madhore, siç është ajo e pozitës së presidentit apo miratimi i marrëveshjeve ndërkombëtare.

Për të dyja proceset duhet siguruar dy të tretat e votave./Marrë nga REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë