Gazeta Si – Edhe pse vijon të jetë në arrati, Moisi Habilaj është dënuar në mungesë me 10 vite burg nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për dy akuza për trafik droge nga Shqipëria në Itali dhe një akuzë për grup të strukturuar kriminal.
Për dy akuzat e para u dënua me nga 12 vite burg, ndërsa për të tretën me 4 vite. Në total, Habilaj u dënua me 15 vite burg, por në zbatim të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 10 vite.
Gjykata vendosi që ai ta vuajë dënimin në një burg të sigurisë së lartë në momentin që do të arrestohet, pasi është shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Fajtor u shpall edhe Nezar Seiti, i cili u dënua me 12 vjet burgim, por për shkak të zbatimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi u ul në 8 vite burg.
Gjykata gjithashtu shpalli të pafajshëm dy të pandehur të tjerë në këtë çështje, Fatmir Minaj dhe Maridian Sulajn.
Habilaj u arrestua në vitin 2017 nga policia italiane së bashku me 11 persona të tjerë, të cilët kryenin transportin e drogës nga Shqipëria në Siçili.
Moisi Habilaj, është në arrati, ndërsa është i dënuar edhe në Itali me 15 vite e 5 muaj burg, vendim i lënë në fuqi edhe nga Apeli atje, por ky vendim nuk u ekzekutua, pasi ai u arratis nga banesa ku qëndronte në Katania me masë sigurie nga banesa e një familjari të tij.
Grupi i drejtuar nga vëllezërit Habilaj akuzohet se ka trafikuar nga brigjet shqiptare drejt atyre italiane të akuzuar për trafikimin e 4 tonë kanabis në vite, me një vlerë rreth 300 milionë euro.
Bisedat e përgjuara dhe të bëra publike nga Prokuroria e Katanias, treguan se trafikantët e drogës kalonin kanabis dhe armë në anën tjetër të kufirit.
Bashkë me ta u dënuan edhe disa zyrtarë të lartë të policisë, të cilët gjykata i cilësoi si bashkëpunëtorë dhe pjesë të grupit të strukturuar kriminal.
Gjatë hetimeve dhe përgjimeve, u evidentua edhe emri i Saimir Tahirit, por ish-ministri i Brendshëm u dënua vetëm për shpërdorim detyre.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



