Rend dhe Ligj

Ushtarakët në Polici, Sindikata kundër: Ligji i pakuptimtë

Ndryshimet në ligjin për “Policinë e Shtetit”, duke i hapur rrugë pranimit të ushtarakëve për t’u pjesë e uniformave blu kontestohet nga ana e Sindikatës së Policisë. Kreu i kësaj Sindikate, Sadetin Fishta në një prononcim për Gazeta SI, e cilëson këtë miratim të Parlamentit si absurd dhe të pakuptimtë mënyrën se si janë formuluar nenet e tij, kjo sa i përket çështjes së pranimit të ushtarakëve në radhët e policisë së Shtetit.

“Ligji i ri i miratuar në Parlament ka përplasje midis vetë neneve që janë miratuar. P.sh neni 7 bie ndesh me nenin 40/1 që kanë vendosur si shtesa, që për mendimin tonë janë shtuar kot, sepse çështja e rekrutimit janë vendosur në ligj dhe nuk nevojë që të bëhet marrëveshje mes dy ministrave për këtë çështje. Nuk ka nevojë që të vendosin në ligj një marrëveshje mes dy ministrash, kur kjo mund të realizohet në forma të tjera. Në asnjë vend të botës nuk ekziston një ligj që përcakton me nen të veçantë se pranimi bëhet me një marrëveshje mes ministrash, ku përcaktohen kuotat dhe strukturat e veçanta në të cilat pranohen ushtarakët. Strukturat e veçanta në Polici nuk përcaktohen me marrëveshje ministrash, pasi ato janë të vendosura në ligj”, deklaron për Fishta për Gazetën SI.

Gjithashtu kontestohet edhe fakti i konvertimit të gradës së ushatarakut, pasi përcaktohet de fakto pranimi i tyre në radhët e policisë, duke zhvlerësuar dhe kriteret e tjera ligjore.
“Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike, miraton ekuivalentimin e gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me gradat e Policisë së Shtetit”, thuhet në pikën 6 të nenit të ndryshuar.

Kreu i Sindikates se Policëve, Sadetin Fishta

Por Fishta thekson se “pika 6, është ai strumbullari për të cilën ne kërkuam nga Parlamenti që të rishkohet. Prapë me këtë ligj i jepet mundësia ushtarakut që i njihet vjetërsia në punë gjë për të cilën ne jemi dakord, por jo që t’i ekuivalentohet grada e tij me ardhjen në polici, pa kaluar kurset bazë dhe konkurrimin sipas pikës 7 të ligjit aktual. Pra pika 6 e nenit 40/1 bie ndesh me nenin 7 pika 1. Këto janë mospërputhje që vërehen në këtë ligj”.
Më tej theksohet se me këtë ndryshim i jepet përparësi pranimit të ushtarakut, duke krijuar një përzgjedhje selektive, pasi mund të privojë civilët që duan të aplikojnë për t’u pranuar policinë e shtetit.
Por për Fishtën ky favorizim për ushtarakët nuk mund të pranohet për ato policisë që duan të marrin gradën e nënkomisarit, pasi ligji e ka të përcaktuar qartë mënyrën se si veprohet. Të gjitha aplikantët duhet t’i nënshtrohen një provimi testimi në Akademinë e sigurisë, sipas nenit 40, e sipas Fishtës, as ushtarakët nuk duhet të përjashtohen.

Faksimile e ligjit te miratuar nga Parlamenti me 74 vota pro


“Grada “Nënkomisar” deri “Drejtues i parë” jepet nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit për punonjësit, të cilët e fitojnë atë nëpërmjet procesit të konkurrimit, sipas këtij ligji. Grada “Drejtues i lartë” jepet nga Ministri. Grada “Drejtues madhor” jepet me vendim të Këshillit të Ministrave. Punonjësi i policisë që mban gradën “Drejtues i lartë”, pas përfundimit të afatit të qëndrimit në detyrë, merr gradën “Drejtues i parë”, thuhet në pikën 2 të nenit 50 të ligjit. Ky përcaktim për kreun e Sindikatës shihet si një përplasje me nenet e reja të ligjit të miratuar nga ana e Kuvendit në seancën 20 dhjetorit.
Ligji që nga 2014 ka pasur dy ndërhyrje njëra pas tjetrës, kur ndërhyhet në ligj, ndërsa për Fishtën ende nuk kanë dalë akoma aktet normative, VKM-të për zbatimin e tij.
“Ky është paradoksi, këtej nuk zbatohet ligji ku duhet të nxirreshin aktet normative brenda 6 muajve, ndërsa tani kanë kaluar 4 vite dhe tani ndryshojnë ligjin 2 herë”, përfundon Fishta. Ndërkaq ligji i ndryshuar pritet të dergohet në Presidencë, ku kreu i shtetit do shprehet me anë të dekretit për ta kaluar ose jo nismën e re të Qeverisë.

Neni që kontestohet nga ana e sindikatës
Pas nenit 40 shtohet neni 40/1 me këtë përmbajtje:
“Neni 40/1

  1. Për plotësimin e nevojave të veçanta, mund të pranohen në Policinë e Shtetit ushtarakë
    të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, të cilët plotësojnë kriteret e
    përcaktuara në pikën 2, të nenit 38, të këtij ligji.
  2. Për ushtarakët e shërbimit aktiv të Forcave të Armatosura, pranimi realizohet me
    pëlqimin e ushtarakut dhe mbi bazë marrëveshjeje dypalëshe, ndërmjet Ministrit të Mbrojtjes
    dhe ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike, ku përcaktohen kuotat,
    struktura dhe funksionet e veçanta nga ku do të pranohen.
  3. Në çdo rast, pranimi, sipas pikës 1, të këtij neni, bëhet pas nxjerrjes në lirim nga Forcat
    e Armatosura të ushtarakëve, nga autoritetet kompetente të përcaktuara nga legjislacioni në
    fuqi.
  4. Pranimi realizohet mbi baza konkurrimi, procedurat e të cilit përcaktohen me udhëzim
    të ministrit përgjegjës për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike.
  5. Kalimi nga strukturat e Forcave të Armatosura te Policia e Shtetit realizohet duke
    njohur e ruajtur vjetërsinë e shërbimit.
  6. Këshilli i Ministrave, me propozim të Ministrit të Mbrojtjes dhe të ministrit përgjegjës
    për çështjet e rendit dhe të sigurisë publike, miraton ekuivalentimin e gradave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me gradat e Policisë së Shtetit.”.

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë