Rend dhe Ligj

Arrestohet në Dubai Bujar Sefa, pjesë e grupit ‘Rraja’ i akuzuar për trafik droge

Gazeta Si – Bujar Sefa, 39 vjeç, u arrestua nga autoritetet e Emirateve të Bashkuara në Dubai, i dyshuar si bashkëdrejtues i grupit të trafikut të drogës që u godit pak kohë më parë në Fushë Krujë, me kapjen e Rexhep Rrajës, ish-djalit të deputetit të PS, si dhe të 7 personave të tjerë.

Sefa ishte shpallur në kërkim nga Interpoli, pasi GJKKO kishte caktuar masën “arrest me burg” për të nën dyshimin se ishte i përfshirë në trafikimin e 2.4 tonë drogë drejt vendeve të BE.

Pas arrestimit të tij, priten procedurat për ekstradimin drejt Shqipërisë. 39-vjeçari rezulton gjithashtu të jetë i dënuar me 12 vite burg në Itali.

Sipas njoftimit zyrtar, arrestimi është realizuar në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, i cili synon kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

“Vijon operacioni i koduar ‘The Wanted’, kapet 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar”, njofton Policia e Shtetit, duke sqaruar se arrestimi është kryer me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

Ai lidhet gjithashtu me hetime të SPAK, nën dyshimet për trafik droge drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Sefa rezulton të ketë qenë i përfshirë edhe në një operacion të mëparshëm policor në fshatin Nojë, ku autoritetet sekuestruan 145 kilogramë lëndë narkotike të dyshuar hashash, si dhe municion luftarak.

Në atë operacion, i dyshuari arriti t’i shpëtonte arrestimit dhe u largua jashtë Shqipërisë, duke u fshehur për një kohë të gjatë në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Goditja e grupit të Rrajave u bë e mundur falë zbardhjes së mesazheve në aplikacionin “SkyEcc” ku anëtarët flisnin për dërgesat e kanabisit e kokainës që vinte nga Turqia e më pas nisej për në vendet e BE. Dy ditë më parë Apeli i GJKKO la në fuqi masat e sigurisë për 8 anëtarët e arrestuar të grupit kriminal.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë