Ekonomi

Ibrahimaj: Gati ligji ‘Made in Albania’. Do fokusohemi tek profesionet me rendiment të lartë!

Nga Gazeta ‘SI’ – Në një dalje për mediat, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, njoftoi se brenda vitit do të hyjë në fuqi ligji për produktet “Made in Albania”, që synon të mbrojë prodhimin vendas dhe eksportimin.

 “Një komponent që lidhet ngushtësisht me promovimin është ligji që ne do të miratojmë brenda vitit 2026, ligji për “Made in Albania” që synon të promovojë produktet vendase në vend dhe jashtë vendit. Por synon edhe ndërtimin e brand-it “Made in Albania” dhe procesin dhe procedura që lidhen me mbrojtjen e brand-it “Made in Albania”, tregtimin e brand-it “Made in Albania” që të garantojmë që produkti shqiptar të jetë i disponueshëm në gjithë vendin dhe të garantojmë nxitjen e eksporteve të produkteve “Made in Albania””, tha ministrja.

Sipas ministres për të garantuar qëndrueshmërinë e normave të rritjes ekonomike, duhet përqendrim në tre sektorë të zhvillimit: rritja e investimeve, rritja e eksporteve dhe rritja e produktivitetit, që do të jenë dhe fokusi i qeverisë përgjatë mandatit.

“Rreth këtyre komponentëve do të drejtohen politikat tona përgjatë gjithë këtij mandati katërvjeçar me qëllim që të garantojmë qëndrueshmërinë, të garantojmë një treg që nxit investimet dhe një treg përfiton maksimalisht nga tregu i përbashkët europian dhe gjithashtu një treg që është i drejtuar drejt atyre profesioneve që janë më produktive dhe sektorëve që kanë produktivitet më të lartë dhe kapacitet më të lartë për të mbajtur vlerë të shtuar në ekonominë shqiptare”, tha ministrja.

Më tej, Ibrahimaj prezantoi ecurinë e ekonomisë së Shqipërisë gjatë vitit që lamë pas.

Ministrja tha se rritja ekonomike ka qenë e qëndrueshme, duke ndikuar në reduktimin e borxhit publik.

 “Ekonomia shqiptare gjatë 2025-ës ka treguar stabilitet, aktiviteti i sektorit privat ka vijuar të rritet dhe kemi një klimë biznesi që nxit investimet. PBB për tremujorin e tretë u rrit me 3.75%, normë më e lartë se mesatarja e BE dhe rajonit. Borxhi publik është tregues kryesor për të matur stabilitetin fiskal të ekonomisë shqiptare, ka ardhur në reduktim dhe në tremujorin e tretë ishte 53.4%. Ky nivel borxhi garanton stabiltet makroekonomik, por na lë hapësira që në të ardhmen të hartojmë politika dhe stimuj fiskalë që të nxisim ekonominë e vendit”, tha ministrja.

Duke u ndalur tek biznesi, Ibrahimaj tha se në 2025-n, në vend janë shtuar më shumë se 17 mijë biznese të reja, aktive.  Ajo tha se në fund të 2025-s, pagat u rritën me 7.3% dhe pensionet me 8.4%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë