Gazeta Si – Ervin Dakoli, një 47-vjeçar shqiptar i konsideruar nga autoritetet policore të Bolonjës si një trafikant i fuqishëm droge, aktiv në trafikun e narkotikëve në Itali, Francë dhe Spanjë, i ka shpëtuar operacionit të para tre ditëve, ku u godit një grup i fuqishëm kriminal në Itali
Ai besohet të jetë kreu i organizatës kriminale me bazë në Reggio Emilia, e cila u godit të martën me nëntë masa sigurie paraprake të lëshuara nga prokurorët italianë në Bolonja.
Shtatë masa janë ekzekutuar, por Dakoli, i cili ishte në Shqipëri dhe një tjetër person i arratisur me bazë në Francë, janë shpallur në kërkim.
Oficerët e njësisë antidrogë të Reggio Emilias, në bashkëpunim me Zyrën e Ekspertit të Sigurisë në Shqipëri, e kishin ndjekur Dakolin për muaj të tërë në qytetin e Kavajës.
Makina e tij ishte lokalizuar, por kur filloi operacioni për ta arrestuar mëngjesin e të martës, 20 janar, 47-vjeçari shqiptar ishte zhdukur.
Sipas mediave italiane, janë të forta dyshimet se dikush në Shqipëri e paralajmëroi Dakolin për një urdhër-arresti që mund ta vendoset në pranga.
15 persona nën hetim
Operacioni “Sturl One” goditi një bandë ndërkombëtare shqiptarësh trafikantë droge: gjithsej 15 persona janë nën hetim, nëntë prej të cilëve (tetë shqiptarë dhe një italian) kanë marrë urdhër-arreste.
Arrestimet dhe kontrollet u kryen jo vetëm në provincat e Reggio Emilias, Bergamo, Brescia dhe Savona, por edhe në Francë, Spanjë dhe Shqipëri, falë koordinimit me autoritetet policore ndërkombëtare, veçanërisht Departamentin e Policisë Kriminale të Shqipërisë.
Platforma e koduar “Sky ECC”
Për të komunikuar në mënyrë konfidenciale, të dyshuarit përdornin platformën e koduar “Sky ECC”, të instaluar në telefona të specializuar me vlerë mijëra euro secili.
Dy nga këto pajisje, të sekuestruara në operacionet e fundit, i dhanë një shtysë të re hetimit, duke çuar në hapjen e një piste të re hetimi në vitin 2022.
Duke monitoruar bisedat e të dyshuarve, hetuesit ishin në gjendje të përcaktonin se si organizata, vetëm në gjashtë muaj, lëvizte, menaxhonte dhe shpërndante mbi 200 kilogramë kokainë dhe 1,000 kilogramë hashash e marijuanë, duke gjeneruar të ardhura të paligjshme prej mbi një milion eurosh.
Përshtati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



