Nga Gazeta ‘Si’- Një raund i ri i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, në nivel kryenegociatorësh, pritet të mbahet sot në Bruksel nën ndërmjetësimin e të dërguarit të posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun, Peter Sorensen.
Takimi do të zhvillohet pas vizitës së Sorensenit në Prishtinë dhe Beograd javën e kaluar dhe mësohet se i dërguari i bllokut do të zhvillojë bisedime të ndara me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi, si dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviç.
Më pas pritet edhe një takim trepalësh mes tyre.
Mësohet se në agjendë të rundit të ri do të jetë Deklarata e përbashkët për personat e zhdukur, për të cilën kishin arritur pajtueshmëri më 2023 kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç.
Palët u pajtuan për zbatimin e plotë të deklaratës së përbashkët për personat e zhdukur gjatë një takimi trepalësh mes kryenegociatorëve në dhjetor 2024 në Bruksel.
Takimi i parë ishte parashikuar të mbahej në janar, por pala serbe nuk pranoi të merrte pjesë për shkak të veprimeve për mbylljen e zyrave që mbështeten nga Serbia në Kosovë.
Takimi i sotëm do të jetë i pari në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës këtë vit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



