Ekonomi

Shqiptarët punojnë me AI/ Vendi që e përdor Inteligjencën Artificiale më shumë për punë

Nga Gazeta ‘SI’ – Shqiptarët po e përdorin Inteligjencën Artificiale (AI) si një pjesë të rëndësishme të punës së tyre, duke u renditur të parët në Europës.

Sipas një raporti të fundit nga Anthropic, kompania mëmë e Claude.ai, Shqipëria ka normën më të lartë të përdorimit të AI-së për qëllime profesionale, mbi 50%, edhe pse numri total i përdoruesve është më i vogël se në vendet e tjera. Trendi është i njëjtë edhe për vendet e tjera të Ballkanit, të cilat renditen poshtë Shqipërisë.

Analiza thekson se të dhënat e nxjerra nga përdoruesit tregojnë se vendet më të ardhura më të ulëta, ku është edhe Shqipëria, e përdorin kryesisht AI-në për detyra dhe punë, ndërsa në vendet e pasura përdoret për argëtim dhe interesa personale. E njëjta gjë ndodh edhe në shkolla.

Sipas studimit, përdoruesit më të arsimuar përfitojnë më shumë në aspektin e produktivitetit nga Claude, pasi janë në gjendje t’i japin chatbot-it udhëzime më të sofistikuara dhe të marrin përgjigje më cilësore.

Shtetet e Bashkuara, India, Japonia, Mbretëria e Bashkuar dhe Koreja e Jugut janë vendet ku Claude përdoret më shumë, me numrin më të lartë të përdoruesve total.

Këto të dhëna, tregojnë se vendet më të pasura kanë më shumë gjasa ta adoptojnë inteligjencën artificiale, ndërsa nuk ka ende prova se vendet me të ardhura më të ulëta po arrijnë të kapin hapin.

“Nëse përfitimet e produktivitetit materializohen në vendet që e kanë adoptuar herët këtë teknologji, mund të shohim një divergjencë të standardeve të jetesës”, tha për Financial Times Peter McCrory, drejtuesi i ekonomisë në Anthropic.

Ky studim i shtohet një trupi gjithnjë e më të madh të dhënash nga kompanitë e teknologjisë, të cilat tregojnë një ndarje globale në ritmet e adoptimit të AI-së, ku përfitimet në produktivitet dhe aplikimet në punë janë të përqendruara kryesisht në vendet e zhvilluara dhe më të pasura.

Sipas vlerësimeve të Anthropic, inteligjenca artificiale mund t’i shtojë 1-2 pikë përqindjeje rritjes vjetore të produktivitetit të punës në SHBA gjatë dekadës së ardhshme, me përfitimet më të mëdha në punë komplekse dhe intensive në njohuri.

Studimi sugjeron gjithashtu se rreth gjysma e vendeve të punës mund ta përdorin AI-në për të paktën një të katërtën e detyrave, nga 36 për qind që ishte kjo shifër një vit më parë.

Raporti shton se përdoruesit në vendet me të ardhura më të larta mund të kenë më shumë burime të tjera, si kohë e lirë dhe akses i vazhdueshëm në internet, të cilat mundësojnë edhe përdorime personale jo thelbësore.

Studimi analizon një mostër rastësore prej 1 milion bisedash nga versionet falas dhe me pagesë të Claude.ai, të dhëna nga konsumatorët, si dhe 1 milion transkripte bisedash nga përdorimi i Claude në ndërmarrje, gjatë muajit nëntor.

Këto gjetje përputhen me përfundime të ngjashme nga Microsoft. Presidenti i kompanisë, Brad Smith, i tha Financial Times se “nëse nuk adresojmë një ndarje në rritje të AI-së, ka shumë gjasa që ajo të ruajë dhe të zgjerojë hendekun e madh ekonomik midis veriut dhe jugut”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë