Gazeta Si – Jani Aliaj, i dënuar përjetë në Shqipëri për vrasjen e Elton Çiços në Tiranë në 1 maj 2016, është vrarë me thikë në burgun e Koridhalosit në Greqi këtë të hënë, 19 janar, si pasojë e një sulmi me thikë nga një i burgosur tjetër.
Sipas mediave greke, ngjarja ndodhi në ambientet e brendshme të burgut, kur autori, me origjinë greke, sulmoi shqiptarin me një objekt të mprehtë të improvizuar si thikë. Mësohet se Aliaj nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Sipas in.gr, viktima ishte akuzuar për vrasje në Shqipëri. Ai kishte arritur të arratisej nga burgjet greke dhe kishte gjetur strehim në Shqipëri. Kur u kthye në Greqi, u gjet dhe u dërgua përsëri në burg.
Dyshohet se vrasja është pjesë e luftës që ka shpërthyer midis grupeve rivale të mafies shqiptare dhe se ndoshta ka pasur një “kontratë vdekjeje” kundër viktimës.
Sipas mediave greke, autori i vrasjes së 49-vjeçarit Jani Aliaj rezulton të jetë një 28-vjeçar grek, vrasës me pagesë, i cili në 18 gusht 2025 ekzekutoi 47-vjeçarin nga Gjirokastra, Artur Bashimi.
Artur Bashimi është vëllai i Marsel Bashimit, i përfshirë në ngjarje të rënda në Greqi, në një rast në bashkëpunimi me Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, të kërkuar në Shqipëri për vrasjen e Komisar Artan Cukut.
Aliaj, 48-vjeç nga Tepelena, i njohur me pseudonimin “Xheku i tmerrshëm”, u arrestua në 31 dhjetor të vitit 2024 në Athinë.
Aty, me një identitet tjetër, i fshihej drejtësisë shqiptare prej 9 vitesh. Në 2016-ën, në një lokal në zonën e ish-bllokut, ai vrau me një pistoletë mulli, Elton Çiçon, po nga Tepelena për hakmarrje, ngjarje kjo e ndodhur më 1 maj të vitit 2016 në zonën pranë stadiumit “Selman Stërmasi” në një lokal.
Nuk dihet ende përse ekstradimi i Jani Aliajt në Shqipëri, i arrestuar në ditën e fundit të 2024-ës, deri në janar 2026 nuk është kryer, por me gjasë lidhet me faktin se edhe në Greqi 48-vjeçari kishte probleme me drejtësinë. Ai ishte arratisur nga burgu i Korfuzit ku vuante dënim për vepra të rënda, përfshirë vrasje
Jani Aliaj, i cili ka lindur dhe është rritur në Tepelenë, konsiderohej si një nga individët më të rrezikshëm të krimit shqiptar dhe drejtues i një organizate të strukturuar, e cila përveç të tjerave, si veprimtari kryesore ka kultivimin dhe trafikimin e drogës.
Në vitin 2022, emri i Jani Alisë ishte mes 5 emrave më të kërkuar nga autoritetet shqiptare. Një vit më vonë, Gjykata e Posaçme vendosi të konfiskojë pasurinë e tij pasi nuk justifikoheshin nga të ardhurat e ligjshme të deklaruara prej familjarëve dhe dyshoheshin se burimin e kishin nga aktiviteti kriminal i Alisë.
Vrasja në vitin 2016 tronditi opinionin në atë kohë, sepse ndodhi në një lokal mjaft të frekuentuar nga qytetarët pranë zonës te stadiumi “Selman Stërmasi”, teksa Elton Çiço ishte duke pirë kafe me një oficer policie dhe disa të tjerë.
Pavarësisht nga njerëzit e shumtë, prania e oficerit të policisë, Jani Aliaj është futur në lokal dhe ka qëlluar drejt Çiços me gjakftohtësi. Ai vdiq në vend, me dy plumba në kokë.
Në atë kohë, ngjarja u zbulua nga hetuesit nga bishti i cigares që Aliaj e kishte hedhur në një kosh shumë prane vendit të ngjarjes.
Historia e konfliktit mes dy grupeve kriminale me bazë në Tepelenë është shumë më e hershme dhe ka lënë pas, shumë viktima.
Si fillesë e kësaj sage hakmarrjeje mes dy bandave, dyshohet të ketë qenë vrasja e shokut të fëmijërisë së Elton Çiços nga Jani Aliaj.
Por, përveç kësaj, policia ka ndjekur edhe pistën e një prishjes së pazareve në trafikun e drogës në Greqi, ku të 2 grupet nga Tepelena kanë ushtruar aktivitetin kriminal prej gati dy dekadash.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



