Rend dhe Ligj

Arratisja e Altin Ndocit nga spitali, Burgjet zbardhin dinamikën dhe shkeljet nga IEVP Durrës

Gazeta Si – Përveç se Altin Ndoci sulmoi policët për të vënë në zbatim planin e tij të arratijes, ka përfituar edhe nga mungesa e zbatimit të protokollit nga ana e policëve që e shoqëronin.

Teksa ka pranuar dështimin e masave të sigurisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, me një deklaratë zyrtare, konfirmon se për shoqërimin e të burgosurit, burgu i Durrësit nuk ka informuar as institucionin qendror dhe as komisariatin vendor për vizitën mjekësore.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, ai ishte dërguar për vizitë mjekësore pas rekomandimit të mjekut të institucionit.

Verifikimet paraprake kanë zbuluar shkelje të rënda procedurale, pasi vizita mjekësore nuk ishte raportuar dhe nuk janë respektuar protokollet standarde të shoqërimit.

“Nga verifikimet paraprake rezulton se, për shoqërimin e planifikuar, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës, si dhe nuk ka raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi. Gjithashtu, rezulton se nuk janë respektuar procedurat standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

Burgjet po ashtu sqarojnë edhe dinamikën e arratisjes së 39-vjeçarit. Në reagimin e gjatë, ku bëhet me dije se është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i burgut dhe janë arrestuar 8 persona, theksohet se pasi i ishte bërë kontrolli, Ndocit i ishte rekomanduar të rikontrollohej pas 2 orësh dhe gjatë kësaj kohe ai ka kërkuar të shkojë në tualet, ku më pas ka goditur punonjësit që e shoqëronin dhe ia ka mbathur me vrap.

Kjo ngjarje i kushtoi lirinë tetë personave deri më tani, shtatë punonjësve të Policisë së Burgjeve dhe kryeinfermierit të burgut të Durrësit.

“Nisur nga të dhënat paraprake, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, është pezulluar i gjithë zinxhiri komandues i IEVP Durrës, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe administrativ, konkretisht: z. Indrit Cerloj – Drejtor i IEVP Durrës; z. Afrim Zeqiraj – Shef i Policisë; z. Dezdemon Pazaj – Shef i Policisë IEVP Durrës (i komanduar); znj. Ylfete Sema – Shefe e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor; z. Aulon Quku – Kryeinfermier; z. Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve; z. Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve; z. Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve; z. Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve; z. Idajet Calamaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve; z. Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve; znj. Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve”.

Po ashtu, me qëllim garantimin e një procesi të rregullt ligjor dhe administrativ, Drejtoria e Burgjeve pezulloi 12 zyrtarë të burgjeve, mes tyre edhe drejtuesin e burgut të Durrësit.

“Referuar ngjarjes dhe veprimeve të ndërmarra, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka vendosur ndalimin e shtetasve të mëposhtëm: Komisar Dezdemon Pazaj – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Komisar Violeta Uka – Punonjëse e Policisë së Burgjeve; Kryeinspektor Dorjan Saraçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Inspektor Sali Ferrollari – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Inspektor Fatjon Braçi – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Inspektor Preng Marvataj – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Kryeinspektor Aranit Çela – Punonjës i Policisë së Burgjeve; Kryeinfermier Aulon Quku – Punonjës i IEVP Durrës”.

Altin Ndoci cilësohet nga autoritetet si një personazh me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Me origjinë nga Lezha dhe banim në Tiranë, ai është arrestuar nga SPAK në Tiranë 6 vite më parë gjatë operacionit “Plumbi i Artë”.

Dëshmitë e disa bashkëpunëtorëve të drejtësisë e kanë përfshirë në disa vrasje të bujshme, mes tyre edhe masakra e Bradasheshit, por më pas fitoi pafajësinë.

Ai mbahej në burg gjithsesi i akuzuar për armëmbajtje pa leje dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, i dyshuar si bashkëpunëtor i klanit “Çopja” në Elbasan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë