Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka ulur ndjeshëm tarifat e propozuara për importet e makaronave italiane, të cilat do të kishin rritur gati dyfish çmimet e shumë markave për konsumatorët amerikanë.
Donald Trump kishte kërcënuar të vendoste tarifa deri në 92% mbi kompanitë italiane të makaronave, pas akuzave se 13 prodhues, përfshirë Barilla, La Molisana dhe Pastificio Lucio Garofalo, po shisnin produktet e tyre në tregun amerikan me çmime “tejet të ulëta dhe joproporcionale”.
Italia eksporton vlerë rreth 770 milionë dollarë në vit në SHBA, që përbën rreth 16% të gjithë pastave të importuara atje.
Të enjten, qeveria italiane njoftoi se Departamenti Amerikan i Tregtisë (DoC) kishte rishqyrtuar tarifat e propozuara dhe i kishte ulur ato në një shkallë nga 2% deri në 14%.
Këto tarifa do të shtohen mbi një tarifë ekzistuese prej 15% që Trump ka vendosur për shumicën e mallrave të importuara nga Bashkimi Europian. Megjithatë, DoC njoftoi se s’ka marrë akoma një vendim përfundimtar mbi nivelin e tarifave që do të vendosen për këta prodhues të makaronave dhe se vendimi final pritet të shpallet më 12 mars.
Departamenti tha se një analizë paraprake, publikuar më herët gjatë javës, tregonte se prodhuesit italianë kishin “adresuar shumë nga pyetjet e Departamentit”, çka shpjegon edhe uljen e tarifave. Vendimi final do të bëhet publik me përfundimin e shqyrtimit në mars.
Shtetet e Bashkuara thanë se 13 kompanitë e synuara përbëjnë rreth 16% të importeve italiane të pastës në SHBA. Coldiretti, shoqata kryesore e agribiznesit në Itali, kishte paralajmëruar më parë se tarifat e planifikuara do të ishin një “goditje fatale” për industrinë italiane të makaronave.
Komisioni Europian gjithashtu kishte deklaruar se do të ndërhynte në mos-zhvillim të situatës nëse do të ishte e nevojshme.
Ministria e Jashtme e Italisë njoftoi se rishikimi paraprak tregonte se tarifa për La Molisana do të reduktohej në 2.26%, ndërsa tarifa për Garofalo do të ishte rreth 14%. Ndërsa 11 prodhuesit e tjerë do të përballeshin me tarifa prej rreth 9.09%.
“Rikalkulimi i tarifave është një shenjë që autoritetet amerikane njohin dëshirën tonë konstruktive për bashkëpunim,” tha ministria në një deklaratë.
Ky ndryshim i qëndrimit ndaj tarifave të pastës erdhi një ditë pasi administrata amerikane njoftoi se po shtonin me një vit rritjen e tarifave për mobiljet e tapiceruara, dollapët e kuzhinës dhe elemente të tjerë shtëpiakë. Importet e këtyre sendeve ishin planifikuar të shkonin nga 25% në 50% që nga 1 janari, por tani është vendosur një shtyrje.
Shtëpia e Bardhë tha se SHBA vazhdon të jetë e angazhuar në negociata produktive me partnerët tregtarë./ The Guardian
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.



