Pas hedhjes së votës në zgjedhjet parlamentare, nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka theksuar rëndësinë e ditës së zgjedhjeve si moment kyç për funksionimin demokratik të vendit, duke bërë thirrje për një proces të qetë dhe pa incidente.
Konjufca u shpreh se përmes votës së lirë qytetarët e Kosovës po dëshmojnë pjekurinë demokratike të shoqërisë, duke uruar që procesi zgjedhor të zhvillohet në mënyrë të rregullt dhe paqësore.
“Sot është dita më e rëndësishme e demokracisë sepse populli i Kosovës voton. Uroj që këto zgjedhje parlamentare të shkojnë pa asnjë problem, të jenë të organizuara në mënyrën më të mirë të mundshme dhe pa ekscese”, tha Konjufca.
Ai shtoi se vetëm një proces i qetë dhe korrekt e dëshmon pjekurinë demokratike të vendit.
“Vetëm kështu e tregojmë pjekurinë tonë edhe si popull edhe si shoqëri. Uroj që të fitojë më i miri, ai që ka qëndruar më së afërti me interesave të qytetarëve të Kosovës”, u shpreh ai.
Duke iu referuar zhvillimit institucional ndër vite, Konjufca theksoi se Kosova ka më shumë se dy dekada që po punon në ndërtimin dhe konsolidimin e demokracisë.
“Po bëhen mbi dy dekada që Kosova po e dëshmon pjekurinë e vet demokratike. Dëshiroj që gjithçka sot të shkojë mirë dhe i ftoj të gjithë qytetarët që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës”, përfundoi Konjufca.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




