Nga Gazeta ‘Si’- Nga ora 7:00 deri në ora 19:00 rreth 2 milionë shtetas kosovarë me të drejtë vote do të kenë mundësi të ushtrojnë të drejtën e votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Prej tyre, 1.019,891 janë burra dhe 979.314 gra. Jashtë Kosovës ishin regjistruar 77.085 votues te cilët gjithashtu patën mundësi të votojnë përmes procedurave të përcaktuara nga KQZ.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 11:00 kanë votuar mbi 8.27 për qind, apo mbi 160 mijë qytetarë.
Komuna me numrin më të madh të votuesve mbetet Prishtina me 219.517 qytetarë me të drejtë vote, e ndjekur nga Prizreni me 187.233 dhe Ferizaj me 121.287.

Në garë janë 24 subjekte politike, prej tyre 18 parti politike, 3 koalicione, dy iniciativa qytetare dhe një kandiat i pavarur. Për 120 ulëset e Parlamentit të Kosovës po garojnë 1800 kandidatë.
Koalicioni Demokracia në Veprim (DnV), që po monitoron zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, bëri të ditur se vetëm 3% e vendvotimeve janë hapur me vonesë, kryesisht për shkak të mungesës së komisionerëve, ndërsa në dy vendvotime shkak ishte edhe ndërprerja e energjisë elektrike.
Një numër i vogël vendvotimesh pati probleme me kamerat dhe vendosjen e kabinave, ndërsa 16% e qendrave nuk kanë infrastrukturë adekuate për personat me aftësi të kufizuara, sipas raportit të DnV-së.

Rreth 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial janë angazhuar në mbarë Kosovën për të garantuar mbrojtjen e votës së lirë dhe integritetin e procesit zgjedhor në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Më 9 shkurt në zgjedhjet e rregullta parlamentare, sipas numrit të ulëseve që siguruan në Kuvendin e Kosovës, partitë u renditën kështu: LVV me 48 deputetë; PDK me 24 deputetë; LDK me 20 deputetë; Lista Serbe me 9 deputetë, AAK-Nisma me 8 deputetë
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




