Lexo me "Si"

Kartolinat…fundi i një tradite?

Nga Gazeta “SI”-Në një epokë ku komunikimi digjital dhe rrjetet sociale mundësojnë lidhje të menjëhershme gjatë udhëtimeve, edhe në Shqipëri kartolinat e dërguara me postë tradicionale vazhdojnë të ekzistojnë, megjithëse në mënyrë gjithnjë e më të zbehtë. Edhe pse sot konsiderohen nga shumë si një relike e së shkuarës, kartolinat mbeten një formë e veçantë dhe domethënëse komunikimi, që dikur ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe në lidhjet emocionale mes shqiptarëve.

Sipas të dhënave ndërkombëtare, përdorimi i kartolinave ka rënë ndjeshëm në dekadat e fundit, kryesisht për shkak të përhapjes së mesazheve të menjëhershme dhe rrjeteve sociale. Në Shtetet e Bashkuara, dërgesat e postës së klasit të parë, që përfshijnë letra dhe kartolina, kanë rënë me rreth 50% në 15 vitet e fundit, ndërsa shërbimet postare në disa vende europiane, si Danimarka, kanë nisur të reduktojnë ose të ndërpresin dërgesat tradicionale të letrave. Megjithatë, pavarësisht këtyre zhvillimeve, kartolinat nuk janë zhdukur plotësisht.

Ekspertët e historisë së turizmit theksojnë se kartolinat u shfaqën në mesin e shekullit të 19-të, paralelisht me zhvillimin e industrisë së udhëtimeve. Ato shërbenin si një mënyrë e lirë dhe e thjeshtë për të ndarë përvojat e udhëtimit, duke promovuar njëkohësisht destinacione të ndryshme turistike. Gjatë fillimit të shekullit të 20-të, kartolinat përjetuan një periudhë kulmore, të njohur si “Epoka e Artë e Kartolinave”, kur miliona prej tyre dërgoheshin çdo vit në mbarë botën.

Kartolina përfaqëson në vetvete një format katërkëndësh (ose formë tjetër) letre të trashë, apo kartoni të hollë i prodhuuar për shkrimin e mesazheve relativisht të shkurtra e të shpejta dhe postimin, zakonisht, pa zarf. Kartolina më e vjetër në botë konsiderohet ajo e dërguar shkrimtarit Theodore Hook (1788-1841) nga Fulham në Londër në vitin 1840 dhe është stampuar me një vulë të zezë me vlerë 1 peni. Në SHBA kartolina e parë komerciale u emetua më 1861 nga John P. Charton nga Filadelfia, i cili ia shiti të drejtat për printim Hymen Lipman-it (1817-1893). Këto ishin kartolina pa figura vizuale. 

Edhe sot, shumë udhëtarë nga breza të ndryshëm vazhdojnë të ruajnë këtë traditë. Për ta, kartolina përfaqëson më shumë sesa një mesazh të shkurtër: ajo është një kujtim i prekshëm, një shenjë vëmendjeje dhe një dëshmi se dikush është menduar edhe nga larg. Ndryshe nga komunikimi digjital, kartolina kërkon kohë, përkushtim dhe një zgjedhje të vetëdijshme për të ndarë një moment personal.

Në rrjetet sociale, interesi për kartolinat ka filluar të ringjallet, veçanërisht mes të rinjve. Hashtagë të ndryshëm dhe iniciativa globale për shkëmbimin e kartolinave dëshmojnë se kjo formë komunikimi vazhdon të ketë vlerë emocionale dhe kulturore. Për shumë njerëz, kartolina mbetet një mënyrë më e sinqertë dhe më intime për të komunikuar, krahasuar me mesazhet e shpejta dhe fotografitë e kuruara në internet.

Kartolinat nëShqipëri

Në Shqipëri, përdorimi i kartolinave për urime apo edhe si një kujtim i vlefshëm nga një udhëtim është zhdukur pothuajse tërësisht. Nga një traditë e gjallë e viteve të komunizmit, e cila la gjurmët e saj edhe në fillimet e viteve ’90, kartolinat dikur përbënin një nga format më të rëndësishme të komunikimit dhe shprehjes së vëmendjes personale.

Kartolina “Përurimi i Urës në Dardhë” (1904) është ndër shembujt më të hershëm të kartolinave fotografike në Shqipëri. Ajo dokumenton inaugurimin e një ure guri, ndërtuar me iniciativë filantropike nga Kristo Themeli Gajo për të lehtësuar kalimin e lumit në hyrje të fshatit. Fotografia, realizuar nga Perikli Kaçauni, tregonte me detaje ura, njerëzit e pranishëm dhe pjesëmarrjen masive të fëmijëve, duke reflektuar jo vetëm një moment festiv, por edhe vitalitetin social dhe urban të Dardhës në fillim të shekullit XX.

Kartolina u printua dhe qarkulloi në Korçë, duke përfaqësuar një ndër format e para të kujtesës vizuale të fshatrave shqiptare. Mbishkrimet në gjuhët greke dhe rumune nënvizojnë rol të dhuruesit dhe origjinën e saj ndërkombëtare. Sot, kjo kartolinë konsiderohet një dokument historik dhe kulturor që pasqyron zhvillimin infrastruktural, shoqëror dhe identitar të Dardhës në periudhën e hershme moderne.

Me përhapjen e telefonave celularë dhe më pas të mesazheve të shkurtra, kartolinat nisën të humbnin gradualisht funksionin e tyre praktik, por edhe simbolikën që mbartnin. Komunikimi i menjëhershëm e bëri të panevojshme pritjen, ndërsa kartolina, që kërkonte kohë, përkushtim dhe durim, u zëvendësua nga forma më të shpejta dhe më efikase të shkëmbimit të urimeve dhe kujtimeve.

Disa librari në Tiranë, si edhe dyqane suveniresh, ofrojnë ende kartolina për shitje, me çmime relativisht të përballueshme. Megjithatë, interesi për to vazhdon të mbetet i ulët. Kjo lidhet, ndër të tjera, me faktin se kartolinat në Shqipëri përkojnë me një periudhë të errët të jetës politike dhe shoqërore të vendit, ndaj sot shpesh perceptohen si objekte që i përkasin së shkuarës dhe jo realitetit modern.

Për shumë qytetarë, kartolinat mbeten të lidhura me kujtime të një kohe kur komunikimi ishte i kufizuar dhe dërgimi i tyre ishte një nga format e pakta të lidhjes me botën e jashtme. Kjo ndoshta ka ndikuar që ato të mos kenë të njëjtën vlerë emocionale për brezat e rinj, të rritur në epokën e teknologjisë dhe komunikimit të menjëhershëm.

Ndërkohë, edhe karakteri i kartolinave ka ndryshuar ndjeshëm në krahasim me ato tradicionale. Dikur, kartolinat përbëheshin kryesisht nga imazhe të aktorëve dhe këngëtarëve të njohur të kohës, si figura të kinemasë turke apo yje hollivudianë që ishin shumë në modë, si Leonardo DiCaprio apo Brad Pitt, të cilët zinin pjesën më të madhe të stampimeve. Këto kartolina shërbenin jo vetëm si mjet komunikimi, por edhe si objekte koleksionimi, veçanërisht për të rinjtë.

Sot, kartolinat moderne kanë marrë një tjetër formë. Ato janë kryesisht artizanale, të punuara me dorë, dhe përmbajnë elementë festivë, simbolikë ose mesazhe domethënëse, të përshtatura sipas rastit. Në vend që të shërbejnë si mjet i përditshëm komunikimi, ato konsiderohen më tepër si objekte estetike ose dhurata simbolike.

Në realitetin shqiptar të sotëm, kartolinat po shihen gjithnjë e më shumë si objekte ekzotike, që më shumë se sa përdoren, zgjojnë ndjesinë e nostalgjisë dhe kureshtjes, sidomos te brezi i ri. Ato përfaqësojnë një formë komunikimi të ngadaltë dhe të qëllimshme, në kontrast me ritmin e shpejtë të jetës moderne, duke mbartur një vlerë kulturore dhe emocionale që, ndonëse e zbehur, nuk është zhdukur plotësisht.

Megjithëse përballet me sfida, si rritja e kostove postare dhe vështirësia për t’i gjetur në disa destinacione, dërgimi i kartolinave shihet ende si një investim në marrëdhënie njerëzore. Në një botë gjithnjë e më digjitale, kartolina vazhdon të simbolizojë ngadalësinë, kujdesin dhe dëshirën për të ruajtur lidhjet përtej distancës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë