Ekonomia shqiptare ka shënuar një rritje prej 4,48 % në tremujorin e tretë të vitit dhe 4,35 % si nëntëmujor.
Të dhënat e INSTAT tregojnë se ekonomia ka nisur të lëvizë më shpejtë krahasimisht me tremujorët paraardhës. Kontributin më të madh në këtë rritje e ka dhënë sektori i energjisë që edhe këtë tremujor ka shpëtuar ekonominë.

Pozitivisht në rritjen ekonomike të këtij tremujori kanë kontribuuar edhe sektorë si Tregtia, Transporti, Akomodim dhe Shërbim ushqimor, Ndërtimi, Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative, Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit, etj. Kurse negativisht ka kontribuuar Aktiviteti i Informacionit dhe Komunikacionit me -0,18 pikë përqindje.
Degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e tretë të vitit 2018, krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2017 : Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rritje me 1,48 %. Aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati rritje me 15,40 %. Ndikimin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë Industria Përpunuese dhe Energjia Elektrike të cilat u rritën përkatësisht me 4,52 % dhe 79,12 %. Energjia ka dhënë ndikim të madh dhe në rritjen reale të PBB-së me 1,32 pikë përqindje.
Gjithashtu në këtë tremujor është rritur edhe konsumi i popullatës krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2017.

Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 3,86 %.
Konsumi final i qeverisë u ul me 2,43 %.
Komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 5,40 %.
Eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rriten me 1,51 %, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 4,11 %.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.





