Nga Gazeta ‘SI’ – Trafiku dhe ndotja e ajrit janë dy shqetësimet kryesore të qytetarëve shqiptarë sipas të dhënave të fundit të Barometrit të Ballkanit.
55% e të anketuarve e konsiderojnë ndotjen e ajrit si shqetësimin më të madh, ndërsa 48% rendisin trafikun si problem prioritar. Këto dy fenomene lidhen ngushtë me njëra-tjetrën dhe ndikojnë në cilësinë e jetës dhe shëndetin e qytetarëve. Trafiku duket të jetë një problem kombëtar pasi për vendet fqinje nuk shihet si shqetësim aq i madh. Sipas barometrit, që nga viti 2024 shqetësimi i shqiptarëve për trafikun është rritur me 18 pikë përqindje, duke reflektuar rritjen e densitetit të automjeteve dhe mungesën e infrastrukturës.

Ndotja e ajrit, nga ana tjetër, është shqetësim i përbashkët për të gjithë Ballkanin, me një mesatare prej 61% të qytetarëve të shqetësuar. Shqiptarët ankohen gjithashtu edhe për ndotjen e tokës dhe menaxhimin e mbetjeve, me 43% të të anketuarve që e konsiderojnë këtë problem të rëndësishëm.
Barometri tregon se 40% e shqiptarëve kanë bërë ndryshime konkrete në rutinën e tyre të përditshme për të mbrojtur mjedisin, një përqindje më e lartë se mesatarja e pjesës tjetër të rajonit.
Megjithatë, kostot dhe mungesa e informacionit të duhur kufizojnë qytetarët që të angazhohen më shumë në sjellje miqësore ndaj mjedisit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




